Parlamenti Europian dhe drejtuesit e parlamenteve të Ballkanit Perëndimor i kanë bërë thirrje dje Këshillit Europian që të vazhdojë të mbështesë perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, bazuar në përmbushjen e kritereve të pranimit dhe të japë një mesazh të qartë dhe pozitiv politik për hapjen e negociatave të pranimit dhe dhënien e statusit të kandidatit.
Me ftesë të Presidentit të Parlamentit Europian, David Sassoli, drejtuesit e parlamenteve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Bruksel.
Në fund të takimit, samiti doli me një deklaratë të përbashkët që u firmos nga kryetarët e parlamenteve të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje – Hercegovinës.
Deklaratë e përbashkët Parlamenti Europian – Ballkani Perëndimor:
“Ne, Kryetarët e parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, bashkë me Presidentin e Parlamentit Evropian dhe Kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, i cili përfaqëson Presidencën kroate të Këshillit të BE-së,
1. Rikonfirmojmë rolin kyç të parlamenteve për çuarjen përpara të axhendës së reformave të BE-së dhe për ruajtjen e aspiratës europiane të popujve të Ballkanit Perëndimor;
2. I bëjmë thirrje Këshillit Europian që të vazhdojë të mbështesë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, bazuar në plotësimin e kritereve të anëtarësimit, dhe të japë një mesazh politik të qartë dhe pozitiv në lidhje me hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe dhënien e statusit te vendit kandidat;
3. Gjykojmë se Samiti i Zagrebit mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm për të kthyer kredibilitetin e politikës së zgjerimit dhe për ti dhënë këtij procesi një shtysë të re efektive përmes konkluzioneve konkrete që do ta çonin rajonin më pranë BE-së dhe do të garantonin qëndrueshmërinë e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor;
4. Konfirmojmë angazhimin e plotë të parlamenteve tona për të marrë pjesë në reflektimet për një “qasje të re” ndaj zgjerimit, në mënyrë që procesi të bëhet më demokratik, më transparent dhe më pranë qytetarëve dhe shoqërisë civile; rikonfirmojmë se sundimi i ligjit është – dhe duhet të mbetet – një gur themeli i procesit të anëtarësimit;
5. Besojmë fort se zgjerimi i Bashkimit Europian do të jetë në dobi të popujve të Ballkanit Perëndimor dhe të Vendeve Anëtare të BE-së, dhe mund të sjellë pajtimin aq të nevojshëm në rajon;
6. Gjykojmë që, ndërsa përgatitjet për Konferencën mbi të Ardhmen e Europës po ecin me shpejtësi, Ballkani Perëndimor Gjashtë duhet të jetë tërësisht i lidhur me punën e Konferencës;
7. Jemi plotësisht të angazhuar të punojmë së bashku për të forcuar demokracinë parlamentare dhe dimensionin parlamentar të procesit të zgjerimit, si dhe për të thelluar kulturën parlamentare, të bazuar në arritjen e konsensusit përmes një dialogu për qëllim të mirë, të hapur, gjithëpërfshirës dhe jo-konfrontues, i udhëhequr nga interesi për paqe të qëndrueshme; theksojmë rëndësinë e programeve për mbështetjen parlamentare dhe të ngritjes së kapaciteteve, të realizuara në nivel lokal dhe rajonal, të mbështetur nga Parlamenti Europian;
8. Besojmë se fuqizimi i parlamenteve është një pjesë thelbësore e procesit të zgjerimit, pasi vetëm parlamentet e fuqizuara dhe efikase, me kultura të forta të dialogut gjithëpërfshirës dhe arritjes së konsensusit, mund të jenë motorë të vërtetë dhe efektivë të reformave.
Së fundmi, ne, Kryetarët e parlamenteve të Ballkanit Perëndimor Gjashtë, me mbështetjen e plotë të Presidentit të Parlamentit Europian dhe Kryetari i Parlamentit te Kroacisë, i cili përfaqëson Presidencën kroate të Këshillit të BE-së, angazhohemi për të drejtuar parlamentet tona përkatëse në këtë rrugëtim dhe të ndihmojmë për të krijuar një moment të ri politik në procesin e zgjerimit që i përgjigjet pritshmërive të të gjithë qytetarëve tanë.
David Maria Sassoli
President i Parlamentit Europian
Gordan Jandroković
Kryetar i Parlamentit të Kroacisë
Gramoz Ruçi
Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë
Denis Zvizdić
Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, Asambleja Parlamentare e Bosnjë-Hercegovinës
Dragan Čović
Kryetar i Dhomës së Popujve, Asambleja Parlamentare e Bosnjë-Hercegovinës
Glauk Konjufca
President i Kuvendit të Kosovës
Ivan Brajović
President i Parlamentit të Malit të Zi
Talat Xhaferi
President i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut
Maja Gojković
Kryetare e Asamblesë Kombëtare të Republikës së Serbisë