Laguna e Kune-Vainit në Tale të Lezhës është zona e parë e mbrojtur në vend, e shpallur si e tillë gati 8 dekada më parë.
Parku i kësaj lagune cilësohet si një nga më interesantët dhe gjithnjë e më shumë po tërheq vizitorë të huaj dhe vendas.
Agjencia e Zonave të Mbrojtura të Lezhës bën të ditur se edhe në këtë fillimviti, laguna priti vizitorët e saj të parë.
“Në lagunën e Vainit patëm turistët e parë për vitin 2020. Ata ishin një çift zviceran, të cilët stafi i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura të Lezhës i shoqëroi në lagunë me varkë duke u dhënë informacionet e nevojshme. Na thanë që është një vend i mrekullueshëm dhe jo vetëm që do të ktheheshin patjetër, por do t’ia sugjeronin edhe miqve të tjerë të tyre”, thuhet në njoftimin e ADZM-së së Lezhës.
Laguna e Kune-Vainit është rreth 8 kilometra larg qytetit të Lezhës dhe shumë pranë atij të Shëngjinit.
Në përbërje të Lagunës hyjnë mjedise detare, lagunore, ligatinore, pyje, shkurre dhe livadhe, që ndërthuren hijshëm midis tyre.
Dallohet për larmi të madhe të botës së gjallë rreth 227 specie bimësh, 17 lloje molusqesh, 10 lloje amfibësh, 24 lloje zvarranikësh, disa lloje peshqish si qefull, levrek, koca, ngjala. Veçanërisht e pasur është bota e shpendëve (196 lloje migratore dhe të përhershëm), e cilësuar si “ornitologjia e Mesdheut”, 23 specie gjitarësh: lepur, dhelpër, ujk, derr i egër, etj.