Sekretari për marrëdhëniet me Mediat dhe Shoqërinë Civile në PS, Alfred Peza me anë të një postimi në facebook, ka komentuar mungesën e përshëndetjeve nga ana e liderëve të opozitës të arritjes historike për Shqipërinë, që mori për herë të parë sot zyrtarisht bashkë me Presidencën e OSBE për 2020, edhe një rol të rëndësishëm ndërkombëtar.

Ndërkohë që urimet kanë ardhur nga Kosova dhe shumë shtete të tjera ato mungojnë nga drejtuesit e opozitës në vend. “Ah sa keq për Shqipërinë e gjorë, e cila edhe pas më shumë se një shekulli ka në opozitë liderë që nxijnë kur vendi arrin diçka pozitive dhe ngazëllehen për çdo gjë negative në jetën tonë”,- shkruan Peza.

POSTIMI I PLOTË I PEZË-s:

Deri një shekull më parë, Shqipëria konsiderohej thjeshtë një shprehje gjeografike, ndësa sot mori zyrtarisht drejtimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE).

Kjo është hera e parë që Shqipëria merr një rol ndërkombëtar, duke e bërë këtë, një moment historik.

“Urime Shqipërisë për marrjen e kryesisë së OSBE-së për vitin 2020 dhe (jam) i lumtur që shoh një listë gjithëpërfshirëse të prioriteteve që i japin përparësi paqes dhe pajtimit”,- deklaroi Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

E ndërsa urimet vijnë nga të gjitha anët, ato mungojnë veçse në të vetmin drejtim nga ku duhet të mos mungonin kurrë: Nga opozita në Shqipëri. Sepse kjo nuk është një arritje vetëm e Edi Ramës, as vetëm e qeverisë së tij apo PS, por është e gjithë shqiptarëve kudo në botë dhe e Shqipërisë.

Mos prisni më kot që përshendetjet të vijnë as në orët e ditët në vijim. Sepse ashtu si në një këngë të njohur, nuk do të ketë:

“Asnje fjalë, asnjë lajm, asnjë fjalë/
Veç zogj që vijnë e shkojnë…”

Ah sa keq për Shqipërinë e gjorë, e cila edhe pas më shumë se një shekulli ka në opozitë liderë që nxijnë kur vendi arrin diçka pozitive dhe ngazëllehen për çdo gjë negative në jetën tonë.

Alpenews.al