Kryeministri Edi Rama shprehu sot besimin nga Brukseli se Konferenca e Donatorëve në 17 shkurt në Bruksel do të jetë një sukses edhe pse, theksoi ai “e dimë shumë mirë dhe e kam thënë që në fillim se nevojat e të gjithë procesit nuk do të mund të përmbushen nga konferenca”. Në një intervistë televizive, për Euronews Albania, Rama tha se “sidoqoftë një pjesë e nevojës është mëse e mjaftueshme për më tepër dhe e rëndësishme që vendet e BE-së të jenë me ne në këtë rrugëtim”. Kreu i qeverisë u shpreh se “zhvillova takime shterruese me Presidenten e Komisionit Ursula von der Leyen, e cila është edhe e organizatorja e konferencës që ka ftuar edhe të gjithë vendet e Bashkimit Europian dhe përtej BE-së që të bashkohen në një tryezë për të mbështetur Shqipërinë”.

I pyetur nëse do të vazhdojnë takimet edhe në vendet e tjera siç bëri në Gjermani për lobim për këto fonde, Rama tha se “jam në kontakte të vazhdueshme më këdo që është i përfshirë në listën e Presidentes së Komisionit dhe ky rrugëtim për të sensibilizuar dhe për të kërkuar mbështetje është domosdoshmëri. Kështu që sikundër kam takuar kryeministrin e Italisë, Giuseppe Conte apo kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, do të kem edhe disa takime të tjera”.

“Përfitoj nga rasti t’i them të gjithë atyre që thonë se duhej bërë vetë nuk kemi pse lypim lart e poshtë, e para po të ishte për shtëpinë time nuk do i shtrija dorën askujt, por këtu bëhet fjalë për shtëpinë tonë të përbashkët. E dyta, në raport me madhësinë dhe mundësitë tona ky është një operacion që asnjë vend nuk do ta përballonte dot i vetëm, se përndryshe nuk do të kishte BE mekanizma të solidaritetit për raste të fatkeqësive natyrore”, – nënvizoi Rama duke shtuar se kur ndodh diçka në një vend, të gjithë vendet bëhen bashkë dhe e mbështesin atë vend.

Ndërsa pyetjes a prisni që Komisioni Europian do ta bëjë ende më të pjerrët rrugën drejt anëtarësimit në BE, Rama u përgjigj se “e mira është që Komisioni i ri ka studiuar të gjithë dosjen tonë dhe ka arritur në njëjtin konkluzion që Shqipëria meriton të hapë negociatat për anëtarësim”. Por, vijoi Rama, e dimë shumë mirë që kjo nuk është një çështje e Shqipërisë, as e Maqedonisë së Veriut, kjo është një çështje e brendshme e BE-së, dhe nëse procesi i brendshëm dhe debati mbi metodologjinë do të avancojë dhe do të konkludojë, mundësitë janë më të mëdha. Kreu i qeverisë u shpreh se “nuk dua të rris aspak asnjë pritshmëri sepse besoj që ne do vazhdojmë të bëjmë atë që kemi bërë si u hapën, si nuk u hapën negociatat”.

I pyetur lidhur me bindjen e vendeve skeptike, Rama theksoi se “ndjeshmëritë e tyre lidhen me situatat e tyre të brendshme dhe në këtë rast ne jemi një thjesht një dëm kolateral, por në fund të fundit kjo gjë duhet mirëkuptuar se BE është shtëpia e tyre dhe ata janë në të drejtën e tyre që të kenë pretendimet e tyre, kërkesat e tyre ndaj asaj shtëpie dhe të kërkojnë ndryshimin e rregullave”. “Ndërkohë që ata debatojnë për rregullat ne do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën punë njësoj si të ishin hapur negociatat. Prandaj nuk duhet të humbasim asnjë sekondë në raport me detyrat. E rëndësishme është që ne të ecim siç kemi ecur dhe të përshpejtojmë ritmin e reformave dhe proceset që na sjellin rezultate të reja”, – tha Rama.