Milva Ekonomi, kryetare e komisionit Parlamentar të Ekonomisë, u shpreh se, faza e rindërtimit pas tërmetit, pritet të sjellë një impuls të ri ekonomik dhe rritje të ekonomisë. “Qasja ndaj biznesit, incentivat ndaj turizmit, trajtimi i çështjeve sociale, dhe patjetër që në këtë proces të rindërtimit do të kemi më shumë financime dhe për rrjedhojë edhe vlerë të shtuar në ekonomi”, – tha Ekonomi. Në një intervistë televizive, Ekonomi shpjegoi se dy muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, ne kemi bërë bilancin e dëmeve të ndarë sipas sektorëve, kryesisht sektorë që japin më shumë shërbime ndaj popullatës, të tillë siç janë: strehimi, qendrat shëndetësore, shkollimi, për të vijuar me sektorët prodhues siç është biznesi, manifaktura dhe tregtia, hoteleria, apo bujqësia dhe trashëgimia kulturore. Sektorë të tjerë janë infrastruktura ku futen rrjeti rrugor, sistemi energjetik, ujësjellësit, godinat që i shërbejnë administratës dhe digat në bujqësi.

“Raporti që po përgatisim do ta prezantojmë në konferencën e donatorëve. Ne kemi evidentuar objektet që fizikisht nuk ekzistojnë, ose janë dëmtuar dhe kemi bërë përllogaritjet dhe nevojën për rindërtim apo rimëkëmbje, ku do të merren në konsideratë disa parime bazë, siç janë: ato për zhvillim të qëndrueshëm, eficienca e energjisë, aksesi për personat me aftësi të kufizuar”, – tha Ekonomi. Ajo shpjegoi se, koncepti i rindërtimit ka një Komision Shtetëror dhe fondin e rindërtimit që nuk ka të bëjë me buxhetin organik që ka Shqipëria. Në fondin e rindërtimit bëjnë pjesë tre komponentë të rëndësishëm: pjesa që jep buxheti i shtetit, pjesa e donatorëve për buxhetin dhe pjesa e donatorëve për veten e tyre.

Ekonomi u shpreh se, qeveria ka krijuar hapësirat ligjore për çdo iniciativë që adreson mbështetje për rindërtimit. “Ne së pari, bëmë përballimin e emergjencës; së dyti, do të çojmë në fillim të muajit shkurt raportin e nevojave për rindërtim, me qëllim që në datën 17 shkurt, donatorët të kuptojnë nevojat që ka Shqipëria për rindërtim”, – tha Ekonomi. Sipas saj, Konferenca e Donatorëve organizohet nga BE, por Shqipërisë në këtë situatë të vështirë iu bashkua edhe ndihma e shteteve të tjera jashtë BE-së. “Ne kishin 304 njerëz që ishin ekspertë të mbrojtjes civile jashtë hartës së BE. Pra pritshmëritë janë që në Konferencën e Donatorëve të jenë pjesëmarrës edhe shtete jashtë BE-së”.

Ekonomi shpjegoi se, akti normativ për përballimin e dëmeve të tërmetit, parashikon prioritet strehimin sipas ndarjes: fillimisht përfitojnë strehim shtresat vulnerabël, ata që kanë humbur pjesëtar të familjes, ndërsa nuk përfitojnë nga programi i strehimit ata që kanë humbur shtëpinë e dytë brenda zonës së rrezikut. E pyetur se si po vijon puna për Reformën Zgjedhore, Ekonomi u shpreh se, tashmë opozita dhe pozita kanë rënë dakord për një kalendar punësh. “Qeverisja është duke funksionuar, sepse fakti që ne iu përgjigjëm aq shpejt të gjithë situatës së krijuar pas tërmetit dhe me gjithë këto donatorë që po punon qeveria për të shkuar në konferencën e donatorëve, tregon vlerësim për qeverinë shqiptare dhe administratën shqiptare, që realizojnë shumë shpejt, në kohë rekord, planin e rindërtimit pas tërmetit, ndaj nuk besoj që të mendohet në këtë moment që nuk ka një performancë të mirë qeverisëse”, – tha Ekonomi.