Ronaldinho beson se Lionel Messi nuk pati nevojë për asnjë lloj ndihme nga ai gjatë fillimit të karrierës së tij në Barcelonë. Fituesi i Kupës së Botës 2002 arriti në Camp Nou në vitin 2003 dhe ishte në klub gjatë kohës kur Lionel Messi si adoleshent kishte filluar të punonte me ekipin e parë të Barcelonës. Pasi e kishte asistuar golin e parë të Messit si profesionist, Ronaldinho arriti ta krijojë një partneritet mbresëlënës me Messin në fazën e sulmit. Megjithatë, braziliani ka insistuar në një intervistë se ai s’kishte nevojë të ndikonte te Messi, përkundër që dukej se po i ndihmonte të përshtatej në skuadër.
“Kur unë erdha në Barcelonë, flitej për një fëmijë që veçohej nga të tjerët. Pastaj u bëmë shokë, filluam të luajmë bashkë dhe shkonim shumë mirë” ka thënë Ronaldinho. “Ai erdhi duke qenë ndryshe nga të tjerët dhe ne shkuam e i thamë Frank Rijkaard ta sjellë atë të stërvitet me ne. Gjithçka ndodhi shumë shpejt”. “Unë isha me fat që e bëra pasimin për golin e tij të parë. Me kalimin e kohës, është shumë mirë ta shohësh dikë që e ka nisur karrierën përkrah teje dhe pastaj e sfidon gjithë botën”.
“Ne ishim gjithmonë shumë të afërt. Ne mësuam shumë gjëra, ai më mësonte spanjisht dhe unë ia mësova gjuhën portugezë. Por, me topin në këmbë, ne e kuptonim njëri-tjetrin në mënyrë të përsosur”. “Unë mahnitesha nga qetësia e tij. Këtë gjë e dua shumë të ai. Ai nuk e fut kurrë veten në telashe, është gjithmonë me familje dhe me të afërmit”. “Leo ka gjithçka. Atij s’i duhej asgjë nga unë”.Ronaldinho i kaloi pesë sezone në Barcelonë dhe gjatë asaj kohe i fitoi dy tituj të La Ligës.