“Presidenca kroate, një mundësi për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor”, deklaron Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi në urimin e tij për kryeparlamentarin kroat Gordan Jandroković , me rastin e Presidencës së BE-së.
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i ka dërguar një letër urimi kryeparlamentarit kroat, Gordan Jandroković me rastin e marrjes së Presidencës së BE-së nga Kroacia.
Në letrën e tij, Ruçi shprehet se “me rastin e fillimit të Presidencës Kroate të Bashkimit Europian, kam kënaqësinë që në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal t’ju uroj Ju dhe Parlamentin e Kroacisë realizimin me sukses të kësaj sfide. Është një sprovë e vështirë, por edhe domethënëse dhe bukur që vetëm shtatë vjet pas pranimit si anëtare e familjes europiane, vendi ynë fqinj, mik dhe partner, merr kryesimin e saj”.
Ruçi shpreh bindjen se me Presidencën kroate të BE-së do ti hapet rrugë Shqipërisë për çeljen e negociatave.
“Shqipëria ka pritur me entuziazëm dhe besim prioritetet e Presidencës Kroate, bërë të njohura nga Ju dhe autoritetet e larta shtetërore: Europë që zhvillon, Europë që lidh, Europë që mbron, Europë që ndikon, sipas vizionit “Një Europë e fortë, në një botë plot sfida”. Ky vizion dhe këto priotitete janë në koherencë me Agjendën e Re Strategjike të Këshillit Europian, 2019-2024, dhe Direktivat Politike të Komisionit Europian. Ne kemi besim se Parlamenti dhe Qeveria e Kroacisë si edhe Ju personalisht, siç edhe e kini shpallur, do t’i kushtoni vëmendjen që i takon avancimit të agjendës europiane të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor”, shprehet ai.
Po ashtu Ruçi shton se “siç edhe kemi pasur rastet të diskutojmë gjatë takimeve tona të shpeshta kohët e fundit, Kuvendi, Qeveria, institucionet dhe qytetarët e Shqipërisë janë përfshirë në një agjendë reformash të guximshme gjithëpërfshirëse kombëtare në prioritetet kyçe të integrimit dhe kanë arritur rezultate të dukshme, të prekshme e të vlerësuara nga Parlamenti dhe Komisioni Europian, të cilët rekomanuan çeljen e negociatave të anëtarësimit në mbledhjen e tetorit 2019. Edhe pse Këshilli Europian nuk arriti të rekomandonte çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në mbledhjen e 17-18 tetorit 2019, kjo nuk na ka dekurajuar, por përkundrazi, na ka mobilizuar më shumë dhe na ka rritur ndjenjën e përgjegjësisë për integrimin europian të Shqipërisë”.
“Unë shpreh bindjen se Presidenca Kroate do të jetë Presidenca e përshpejtimit të integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe se gjatë Presidencës Suaj do të çelen negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Kroacia do t’ia arrijë me siguri që vendet skeptike të kapërcejnë barrierat konceptuale jorealiste dhe t’i bind ato se rajoni ynë është një vlerë e shtuar e Bashkimit Europian dhe qytetërimit perëndimor.Më lejoni, i nderuar koleg, që bashkë me përgëzimet për një Presidencë Kroate të suksesshme, Ju uroj Gëzuar Vitin e Ri 2020.”, shkruan në letrën e urimit Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.