Ministria e Financave dhe Ekonomisë nënshkroi me Bankën Europiane për Rindërtim Marrëveshjen për financimin e konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri. Marrëveshja u firmos nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj dhe drejtori i BERZH-it për Shqipërinë, z. Matteo Colangeli, ndërsa do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Programi parashikon dhënien e një shume prej 50 milionë dollarëve, në formën e huasë, për përmirësimin e infrastrukturës në tri akse rrugore lokale në vendin tonë që prekin zonën Vlorë-Orikum; Shëngjin-Velipojë dhe Librazhd-Bulqizë.

Ministrja Denaj vlerësoi marrëveshjen e firmosur me BERZH dhe tha se qeveria shqiptare është e angazhuar në përmbushjen e prioritetit të saj për të rritur aksesin drejt zonave rurale, jo vetëm nga qytetarët e turistët, por edhe nga investitorët e huaj, duke ndikuar kështu në zhvillimin ekonomik të tyre dhe në rritjen e punësimit.
“Këto tre akse janë pjesë e kësaj marrëveshje huaje, por janë pjesë e një programi më të gjerë të kontektivitetit rajonal dhe lokal, i cili nuk do të sjellë vetëm një përmirësim të shtuar të akseve në aspektin e transportit por, mbi të gjitha, do të zgjerojë mundësitë e zhvillimit ekonomik në këto zona. Ky është një prioritet i qeverisë shqiptare, për të bërë zonat rajonale e zonat rurale më të aksesueshme për individët, turistët dhe mbi të gjitha për investitorët vendas dhe të huaj, të cilët në këto zona do të mundësojnë jo vetëm marrjen e shërbimeve të duhura, por njëkohësisht do të krijojnë mundësinë e një zhvillimi ekonomik dhe punësimi akoma më të gjerë”, u shpreh znj. Denaj.

Drejtori i BERH për Shqipërinë, z. Colangeli, tha se nënshkrimi i marrëveshjes konfirmon bashkëpunimin shumë të mirë me qeverinë shqiptare për modernizimin dhe zgjerimin e rrjetit rrugor të vendit tonë, ndërkohë që investimi i parashikuar do të ndikojë në përmirësimin e ekonomisë lokale. “Mendoj qe këto investime janë të rëndësishme pasi shërbejnë dhe ndikojnë në përmirësimin e ekonomive lokale, në zonat që do të përfitojnë nga mundësi më e mirë ndërlidhjeje, veçanërisht për fushën e turizmit, i cili për ne është gjithashtu një sektor prioritar për investimet. Do të doja gjithashtu të nënvizoja se investimet në infrastrukturë kanë të bëjnë me rritjen e standardeve, përmirësojnë mjedisin, aspektet sociale, sigurinë rrugore, ndërhyrje që janë maksimizuar në detajet teknike të këtyre projekteve”, u shpreh z. Colangeli.
Nga ana e tij, Drejtori Ekzekutiv i FSHZH, z. Dritan Agolli, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, falënderoi BERZH dhe MFE dhe u shpreh se: “Të tre projektet janë me standarde nga të lartë, pasi kanë marrë në konsideratë edhe standardet mjedisore, veçanërisht zona e Shëngjin – Velipojës, ku projekti ka parashikuar marrjen e masave të duhura për mbrojtjen mjedisore, pasi kalon në një zonë shumë të veçantë natyrore”.

Tre segmentet rrugore që parashikohen të financohen nëpërmjet Projektit janë:
1. Rehabilitimi i Rrugës Ekzistuese Uji i Ftohtë – Orikum, ku pjesë e rehabilitimit të këtij segmenti do të jetë edhe ndërtimi i dy bypass-eve që do të përmirësojnë qarkullimin (10.7km);
2. Ndërtimi i rrugës Shëngjin – Velipojë (12.4 km);
3. Sistemim dhe asfaltim i rrugës Zgosht – Ura e Çerenecit (47.1).

Objektivi i këtij projekti është përmirësimi i infrastrukturës rrugore me qëllim krjimin dhe rritjen e zhvillimit ekonomik të zonave të gjendura në bashkitë Vlorë, Lezhë, Shkodër, Librazhd dhe Peshkopi, si rezultat i përmirësimit të potencialit të tyre turistik dhe zhvillimit të mëtejshëm të bujqësisë. Sektori i bujqësisë dhe ai i turizimit, përfaqësojnë dy sektorë kryesorë në drejtim të punësimit dhe rritjes ekonomike në Shqipëri.