Ndërkohë që Sali Berisha prej vitesh i ka mbrojtur protestat e dhunshme si e vetmja mundësi për largimin e Edi Ramës, ndryshe mendon Halim Kosova.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai shprehet se protesta të tilla janë rrugë të gabuara.
Mënyra më e drejtë dhe e duhura, për ish-deputetin janë idetë me të cilat një parti i prezantohet popullit të tij.
“E kam dhënë gjithmonë mendimin tim se përmes protestave të dhunshne nuk mund të vihet asnjëherë në pushtet. Më e rëndësishme se protestat, pa i përjashtuar protestat demokratike është çfarë premton PD dhe me cilët njerëz del përpara popullit për idetë që ka për të nesërmen”, tha Kosova.
Ish-deputeti tha se Komisioni për Etikën dhe Pastërtinë e Figurës që është ndërtuar brenda PD-së dhe që drejtohet nga ai është një garanci serioze për integritetin e atyre që do të qeverisin nesër vendin.
“Besimi në një forcë politike vjen nga njerëzit që e përfaqësojnë këtë forcë politike. Duke ditur mirë këtë, PD ka ngritur Komisionin e Etikës dhe Pastërtisë së Figurës. Nuk është sekret të them se Ambasada e SHBA-së më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë për ta nxitur këtë projekt dhe për të na ndihmuar. Ata janë shumë të gatshëm të ndihmojnë, kur bëhet diçka e mirë kundër korrupsionit apo për ta parandaluar atë. Mendoj qe kemi ndërtuar një pyetësor perfekt sesi të përzgjidhen njerëzit e PD, figura të qeverisjes së ardhshme në pozicionet më të rëndësishme në qeverisjen e vendit. Kështu që nesër, PD ka një garanci më shumë se ata që do të drejtojnë vendin do të kenë figurë të pastër. Duke respektuar dekriminalizimin me detaje, kemi bërë edhe një vaksinim kundër të keqes për nesër’, përfundoi Kosova.