Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish- kryeministrit Sali Berisha ka pasur një rol protagonisti gjatë procesit të përpilimit të dokumenteve të nevojshme për ndërtimin e kompleksit me 17 pallate, te zona e ish kompleksit “Partizani”, pas Inxhinierisë së Ndërtimit.

Kompania “Homeplan”, ku ai zotëron 35% të aksioneve në bashkëpunim me “Kontakt”, do të ndërtojnë kompleksin me vlerë 20 milionë euro.

Përveç kësaj, nga “Pala Pronare” ai u zgjodh si përfaqësues në firmosjen e kontratës me “Palën Sipërmarrëse”, që në dokument shënohet si shoqëria “Homeplan”.

Leja zhvillimore u dha nga Bashkia e Tiranës më 18 gusht 2013, kur drejtohej nga kryetari aktual i PD-së, Lulzim Basha. Pas vetëm 6 muajsh të nisjes së punimeve, dhëndri i Berishës futet si aksioner i këtij kompleksi.

Malltezi është përfolur shumë për pronat e tjetërsuara tek ish Kompleksi Partizani dhe se pas ndërtimit fshihej ai. Por deri më sot, me dokumente kjo gjë nuk ishte vërtetuar, pasi ai nuk i kishte regjistruar aksionet e tij në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

Malltezi është shtuar si aksioner te kompania “Homeplane” në dhjetor të vitit 2018, ndërsa këto aksione i ka blerë në 23 janar të vitit 2014.

Fakti që leja e ndërtimit u dha nga Basha, në atë kohë kryetar i Bashkisë Tiranë, e ekspozoi Malltezin dhe vjehrrin e tij, Berishën, në një konflikt të hapur interesi. Prokuroria nisi hetimet, e më pas i pushoi edhe pse kishte dyshime për lejen e ndërtimit.

Të premten, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla deklaroi se drejtësia e re duhet që ta hetojë plotësisht investimin për ndërtimin e kompleksit me vlerë 20 milionë euro.

“Me 35 mijë lekë familja e Sali Berishës merr 1/3 e një kompleksi prej 20 milionë eurosh, shtatë vite pasi qeveria e Sali Berishës i “falte” fushat e futbollit të kompleksit “Partizani” në qendër të Tiranës. Kush mendon se akuzat për korrupsion gjatë kohës në opozitë i kam pasur vetëm pjesë të retorikës politike, e ka shumë gabim. E vërteta vonon, por nuk harron! Drejtësia e re duhet ta hetojë plotësisht!”, shkroi ai në profilin e tij në Facebook.

Balla kujtoi se në vitin 2012 qeveria e Sali Berishës privatizonte kompleksin “Partizani” te disa persona të përfaqësuar nga dhëndri i tij.

“E kam denoncuar këtë akt të rëndë korruptiv në atë kohë për shumë ditë me radhë, duke publikuar të gjithë dokumentacionin. Madje mu desh të përballem me salinjtë edhe ne Gjykatë për këtë dosje korruptive. Prej dy ditësh mediat kanë publikuar dokumenta të reja që tashmë konfirmojnë se bashkëshorti i vajzës së Sali Berishës zotëron tashmë 35% të gjithë kompleksit të pallateve të ndërtuar mbi fushat e futbollit.”(Shqip)