Kryeministri Albin Kurti për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung”, ka folur për rolin që po luan ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell (nga Trumpi u emërua drejtor në detyrë i Inteligjencës Kombëtare) në bisedimet Kosovë-Serbi.
Kurti ka deklaruar se Grenell ka sjellë energji të re në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe nuk beson se ka qëllime të këqija. Por Kurti ka thënë se Kosova ka qeveri të re dhe se negociatat nuk mund të zhvillohen mes presidentëve. “Këtë duhet ta bëjnë qeveritë e zgjedhura”, ka deklaruar Kurti për “Süddeutsche Zeitung”. Kryeministri i Kosovës ka thënë se dialogu me Serbinë duhet zhvillohet me parime të qarta. “Nuk jam kundër dialogut me Serbinë, por ai duhet të zhvillohet me parime të qarta, të cilat janë të obligueshme për të dy palët. Serbia duhet të pranojë realitetin: Kosova është shtet i pavarur. Dhe ne nuk mund të kthehemi në kohën e Millosheviqit. Sa më parë që e pranojnë këtë, aq më mirë për të dy palët”, ka deklaruar Kurti.
Kurse për “shkëmbimin e territoreve” dhe ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar se ky projekt ka dështuar, por ideja nuk ka vde kur. “Duhet të jemi të kujdesshëm. Zgjidhjet e tilla me shkëmbim territori mund të hapin Kutinë e Pandorës”, ka deklaruar Kurti. Kurse për marrëveshjen për lidhjen hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Mynih, Kurti ka deklaruar se qeveria e re nuk ka qenë e përfshirë. “Na duhen më shumë rrugë dhe vija hekurudhore, por negociatat janë zhvilluar nga qeveria paraprake, ne nuk kemi qenë të përfshirë. Kam rezerva, mes tjerash lidhur me çështjen nëse financimi do të ishte në pajtim me Kushtetutën. Versionin final nuk e kam parë. As ministri i infrastrukturës, as unë si kryeministër nuk e kemi miratuar nënshkrimin”, ka deklaruar Kurti, ndërsa ka shtuar se ende ka njerëz të fuqishëm në pozita të rëndësishme.