Ministrat e Financave të BE kanë arritur një marrëveshje për paketën ekonomike ndihmëse për gjithë Bashkimin Europian.

Lajmi është bërë i ditur nga komisioneri ekonomik italian Paolo Gentiloni apo dhe ministri holandez Wopke Hoekstra që kanë konfirmuar se marrëveshja është arritur.

Holanda dje ishte kundërshtuesja më e madhe e kësaj pakete për shkak të eurobondeve të Italisë por tashmë 27 vendet e BE kanë një marrëveshje. Pas 2 ditësh bisedimesh i është dhënë fund edhe kësaj dileme.

Paketa ekonomike për daljen nga kriza do të ndihmojë vendet e BE më të goditura nga COVID-19 si, Italia, Spanja Franca apo Gjermania. Ajo përfshin kushte minimale që qeveritë e vendeve të kenë akses në fondin Mekanizmit të Stabilitetit të Eurozonës bazuar tek financimi i pajisjeve mjekësore për të luftuar COVID-19.

Nuk bëhet me dije se sa është fondi i përgjithshëm i Mekanizmit të Stabilitetit Europian por mediat e huaja flasin për gjysmë trilioni euro.