Kryeministri Edi Rama në një lidhje të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, duke folur me qytetarët, tha se qeveria po merr të gjitha masat për situatën nga koronavirusi.
Rama u shpreh se kush punon në të zezë, duhet të gjejë guximin që të denoncojë pronarin. Sipas tij, vetëm kështu të gjithë ata që punojnë në të zezë do të ndihmoheshin.
“Për bukë askush nuk do të vdesë as në kohën e luftës. Ju lutem, bëni durim. Paketa jonë është 2.2 përqind të Prodhimit të Përgjithshëm, pra nuk është e vogël për kohën që zgjat kriza. Për punën në të zezë, ka njerëz që punojnë në të zezë. Ka punëtorë plot të tillë.
Këta janë vërtetë në hall. Si mund ta zgjidhë shteti këtë cështje, hallin e dikujt që ka punuar në të zezë. Ata që punojnë në të zezë dhe që sot janë në hall, ta denoncojnë. Kështu, i themi personit që ti do ta paguash punëtorin. Ne po shohim masa edhe për punëdhënësit që pijnë gjakun e punëtorëve”, tha Rama.
Më tej, Rama deklaroi se qeveria ka ndihmuar deri tani mbi 147 mijë persona.
“Dritat do të ndërpriten, nëse nuk paguhen. Kjo sepse drita është mall. Dritat nuk vijnë nga deti dhe as nga qielli. Dritat vijnë nga prodhimi. Nëse kompania nuk mbledh kontributet, atëherë kompania si do na sjellë dritat ne. Shoh një grup njerëzish që tallen e shajnë, ofendojnë mijëra njerëz që sakrificojnë shumë për jetën tonë të përbashkët.
Ka nga ata që thonë se ndihmat ndahen për miqtë e për anëtarët e partisë a ku di unë se cfarë. Janë mbi 147 mijë dyer ku ne kemi trokitur për të ndihmuar me ndihma. Kjo është luftë për ekzistencë. Askush që po reziston në këtë luftë, nuk po lihet vetëm. Ka edhe pako që shpërndahen nga Fundjavë ndryshe, me të cilët ne bashkëpunojmë. Qesja ka ushqime”, tha Rama.