Vietnami, një vend me 97 milionë banorë, nuk ka raportuar asnjë vdekje të vetme dhe që prej shpërthimit, ka konfirmuar vetëm 328 të infektuar, pavarësisht kufirit të gjatë me Kinën dhe miliona vizitorëve kinezë çdo vit. Situata duket e jashtëzakonshme duke marrë parasysh që Vietnami është një vend me të ardhura më të ulëta dhe një sistem shëndetësor më pak të përparuar se vendet e tjera në rajon, shkruan CNN.

Për skeptikët, numri zyrtar i të infektuarve në Vietnam është shumë i ulët për të qenë i vërtetë, por Guy Thwaites, një mjek i sëmundjeve infektive që punon në një nga spitalet kryesore të caktuar nga qeveria vietnameze për të trajtuar pacientët me Covid-19, tha se shifrat zyrtare përputhen me ato në realitet.

Natyrshëm lind pyetja, si ja doli Vietnami të menaxhonte me sukses koronavirusin? Përgjigjja, sipas ekspertëve të shëndetit publik, është një kombinim faktorësh: reagim i shpejtë i qeverisë, reagim i menjëhershëm për të parandaluar përhapjen, gjurmimi i rreptë i kontakteve, karantinimi dhe komunikimi efektiv publik, raporton abcnews.al

Vietnami filloi përgatitjet për shpërthimin e Covid-19 disa javë para se të zbulohej rasti i parë. “Ne nuk pritëm udhëzimet e OBSH-së. Ne morëm dhe mblodhëm të dhëna brenda dhe jashtë vendit për të vepruar shpejt,” tha nënkryetari i Departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin Kombëtar të Higjienës, Pham Quang Thai.

Në fillim të janarit, çdo aeroport kishte një vend për kontrollin e temperaturës. Udhëtarët që kishin ethe dhe temperaturë, izoloheshin nga pjesa tjetër dhe monitoroheshin nga afër, raporton abcnews.al

Në mes të janarit, qeveria udhëroi agjencitë qeveritare të merrnin masa drastike për të parandaluar përhapjen e sëmundjes dhe të forconin karantinimin mjekësor në kufi.

Në 23 janar, Vietnami konfirmoi dy rastet e para me koronavirus. Ishin dy persona, babë e bir, që kishin patur kontakte me Wuhan-in, ku nisi përhapja e virusit.

Të nesërmen, autoritetet e aviacionit anuluan të gjitha fluturimet drejt Wuhan-it. Në 1 shkurt, Vietnami shpalli epidemi kombëtare – me vetëm gjashtë raste të konfirmuara me Covid-19. Të gjitha fluturimet me Kinën u ndërprenë. Në fund të marsit, Vietnami pezulloi hyrjen e të gjithë të huajve në vend,raporton abcnews.al

Po kështu, autoritetet mjekësore gjurmuan me kontaktet e pacientëve të konfirmuar me koronavirus dhe i vendosën në karantinim të detyrueshëm për 2 javë. Pacientët duhet t’u jepnin autoriteteve shëndetësore një listë të gjatë të të gjithë personave që kishin takuar në 14 ditët e fundit. Njoftimet vendoseshin nëpër gazeta dhe transmetoheshin në televizion për të informuar publikun. Kështu njerëzit që shihnin emrin në lista e kontakteve të të infektuarve, tregonin kujdes dhe komunikonin me specialistët.

Që prej fillimit, qeveria vietnameze komunikoi qartë me publikun: u hapën faqe të dedikuara për virusin, linja telefonike dhe aplikacione për këshilla mjekësore. Në fund të shkurtit, qeveria publikoi edhe një këngë, të bazuar në një hit pop vietnamez, për të udhëzuar njerëzit se si të lanin duart. Momentalisht videoja ka më shumë se 48 milionë shikime.

Thwaites tha që përvoja e pasur e Vietnamit në trajtimin e shpërthimeve të sëmundjeve infektive, të tilla si epidemia SARS nga 2002 në 2003 dhe gripi i shpendëve vijues, ndihmuan qeverinë dhe publikun që të përgatiteshin më mirë për pandeminë Covid-19.