Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, ka nënshkruar udhëzimet administrative, përmes së cilave u lejohet edhe institucioneve shëndetësore private të kryejnë testime për SARS-Cov-2. “Udhëzimet përcaktojnë llojin e institucioneve që mund ta ofrojnë këtë lloj të testimit, kushtet që duhet t’i ofrojnë ato, përfshirë hapësirën, pajisjet, llojet e testimeve si dhe raportimi i tyre në baza ditore në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Shëndetësisë.

“Duke qenë që me këto udhëzime, përveç testeve molekulare për detektim të acideve nukleinike të SARS–Cov-2 që kryhen në laboratorët mjekësor të Mikrobiologjisë klinike, lejohen të kryhen edhe Testet serologjike (për detektim të antitrupave të SARS-COv-2; teste të shpejta që detektojnë antigjenin e SARS-Cov-2 dhe teste të shpejta që detektojnë antitrupat kundër SARS-Cov-2”, thuhet në njoftim. Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hotit ha se institucionet private që aplikojnë për licencim duhet të plotësojnë një sërë kushtesh që janë përcaktuar në bazë të udhëzimeve administrative.

Më herët ishte raportuar se institucioneve private nuk do t’iu lejohet të kryejnë testin PCR i cili përcakton saktë se a ekziston virusi në trup dhe bazohet në analizën e mostrave në hundë. Mirëpo, zëdhënësi Hoti tha se nëse laboratoret private posedojnë me aparaturat e nevojshme dhe përmbushin kushtet për testime të tilla atëherë do të lejohen t’i kryejnë ato. Ndërsa testin serologjik, atë që përcakton antitrupat te një person, nuk e bën aktualisht as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.