Flora dhe fauna shqiptare ka ndryshuar krejtësisht dhe sot kemi një numër të konsiderueshëm shpendësh por edhe kafshësh të tipeve të ndryshme, të cilat vazhdojnë të jenë shumë të populluara në vendin tonë, kjo falë moratoriumit të gjuetisë. Nga Divjaka, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi se do të lobojë për shtyrjen me 5 vjet të moratoriumit të gjuetisë. “Unë do të loboj fort që në vitin 2021 të rivendosim përsëri moratoriumin 5 vjeçar të ndalimit të gjuetisë dhe së bashku me moratoriumin për ndalimin e prerjes së pyjeve, të jemi në një vend i cili mbron në mënyrë të theksuar natyrën shqiptare”, deklaroi Klosi.
Në Divjakë, tha ministri ia kemi dalë që të krijojmë një ambient jo vetëm turistik, jo vetëm që vizitohet nga mijëra e mijëra pushues, por të jetë dhe një ambient shkencor sikurse është Spitali i shpendëve, një investim i përbashkët me Organizatën e Kombeve të Bashkuara, PNUD. Ai tha se kjo dëshmon që “sa mirë po ia dalim që e gjithë Agjencia e Zonave të Mbrojtura të shndërrohet në një agjenci për natyrën.
“Jemi këtu ne një diskutim me ekspertë fushës së biologjisë, të gjithë florës dhe faunës shqiptare për të vazhduar një debat të madh që ka sot në Shqipëri. A të rikthejmë ligjin e moratoriumit të gjuetisë. Unë jam partizanë i flaktë i kësaj teze. Do të doja shumë që në vitin 2021 kur përfundon moratoriumi 5 vjeçar dhe jo vetëm të rikthejmë moratoriumin për 5 vite të tjera, por të diskutojmë gjerësisht efektet pozitive që ka sjellë ky moratorium”, deklaroi Klosi. Ai tha se beteja për rivendosjen e moratoriumit të gjuetisë duhet të jetë një bisedë intelektuale dhe një debat që duhet të përfshijë të gjithë ekspertët e fushës duke u ballafaquar me një lobim të caktuar, i cili kërkon rikthimin e gjuetisë.