Qytetarët kosovarë duket se nuk i tremben shifrave në rritje të COVID-19 në vendin tonë. Që në orët e para të mëngjesit, ekzaktësisht në orën 06.00 të kësaj të premte ka pasur një fluks të lëvizjeve në pikën kufitare në Morinë. Pritjet për të hyrë në kufi janë deri në 5-10 minuta. Punohet me gjitha sportelet 6 të tilla, proçedure të përshpejtuar dhe personel shtesë. Kolona e mjeteve me targa të Kosovës kanë shkuar deri në fshatin Vërmicë të Prizrenit. Kosovarët duke shfrytëzuar fundjavën dhe dikush pushimin e vitit që ka tani, kanë vendosur që ta vizitojnë bregdetin shqiptar.
Sezoni turistik po shkon drejt fundit dhe kjo ka sjellë edhe dyndjen më të madhe të qytetarëve kosovarë drejt bregdetit shqiptar. Vetëm në 5 ditëshin e parë të gjysmës së muajit gusht, bregdetin shqiptar e frekuentuan rreth 90 mijë pushues kosovarë. Mesatarja ditore ishte mbi 13 mijë qytetarë kosovarë në ditë që kanë hyrë në Shqipëri përmes Morinit me destinacion bregdetin shqiptar. Numri i të prekurve me COVID-19 në Kosovë tashmë ka kaluar mbi 12 mijë. Edhe numri i të vdekurve vazhdon të jetë i lartë. Deri më tani 438 pacientë humben jetën nga ky virus.