Në tregun e këmbimit valutor vendas, të mërkurën leku forcoi pozitat në raport me dollarin amerikan dhe u zhvlerësua ndaj monedhës europiane lehtë, krahasuar me një ditë më parë. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha e gjelbër amerikane këmbehet me 104,40 lekë ose 0,35 lekë më pak se ditën e martë.

Ndërsa euroja forcoi pozitat me 0,14 lekë dhe këmbehet sot në kuotën e 123,58 lekëve. Në pozita të forta ndaj lekut këmbehen edhe paundi britanik e franga zvicerane që përkatësisht kanë fituar 0,20 lekë dhe 0,28 lekë. Sot monedha britanike këmbehet me 137,08 lekë dhe franga zvicerane me 114,84 lekë. Banka e Shqipërisë bën të ditur se luhatjet në tregun valutor i adresohen efektit të sezonit, ndërkohë që kursi i këmbimit është i stabilizuar dhe i qëndrueshëm.