Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka ftuar sot të gjithë të interesuarit që të bëhen pjesë e hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit .Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në mbështetjen e përpjekjeve të Shqipërisë në krijimin e një sistemi drejtësie etik, transparent dhe profesional, siç e meritojnë shqiptarët, ka theksuar sot me anë të një deklarate Ambasada e SHBA-së në Tiranë. Je pjesë e elitës që do ndihmojë në krijimin e një Shqipërie më të mirë? Hetuesit e BKH-së do të jenë ndër pjesëtarët më të mirëtrajnuar dhe më të vetuar të organeve ligjzbatuese në vend dhe do të luajnë një rol kyç në dhënien e drejtësisë në emër të shqiptarëve, ka shtuar Ambasada e SHBA e cila ka publikuar dhe linkun ku mund të aplikohet: https://bit.ly/3bKUsUv.

SPAK ditën e djeshme çeli garën e rekrutimit të kandidatëve të përshtatshëm me integritet për hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kandidatët duhet të kenë eksperiencë në fushat e përcaktuara në Ligjin nr. 95/2016 Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, si dhe në fushat që kanë lidhje me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (Ekonomik, Teknologji e Informacionit). Hetuesit e BKH-së kanë përgjegjësinë të kryejnë hetime penale nën drejtimin e Prokurorëve të Posaçëm dhe kanë statusin e oficerit të policisë gjyqësore. Sistemi i përzgjedhjes së hetuesve të BKH-së është një proces sfidues mendor dhe fizik, i përgatitur për të gjetur kandidatët më të aftë dhe me integritet. Ata që janë të suksesshëm në procesin e përzgjedhjes do t’i bashkohen një skuadre elitë që mbështet Prokurorët e Prokurorisë së Posaçëm të cilët do të ndjekin dhe hetojnë veprat penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar.