Biznesi i vogël nuk largoi të punësuarit për shkak të situatës së krijuar prej pandemisë së COVID-19. Drejtore e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se në muajin qershor rezultojnë 2 mijë të punësuar më shumë pranë biznesit të vogël, krahasuar me muajin shkurt të po këtij viti, para se të nisnin masat për parandalimin e përhapjes së infeksionit të COVID-19.
Gjatë një interviste në media, Ibrahimaj tha se në biznesin e madh është parë një rënie e punësimit. Qeveria shqiptare ka miratuar një program me tri skema, i cili synon të nxisë ripunësimin e personave të larguar nga puna për shkak të COVID-19. Programi është 4, 8 ose 12-mujor punësimi, në të cilin profili dhe nevojat e punëkërkuesit përshtaten me vendin e lirë nga punëdhënësi.
Për programin e punësimit katërmujor, qeveria paguan pagën minimale, për 2 muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, si dhe kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.
Për programin e punësimit tetëmujor, qeveria merr përsipër financimin e pages minimale për 4 muaj dhe kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore. Për programin e punësimit 12-mujor, qeveria paguan sigurimet e detyrueshme (kontribut i punëdhënësit dhe punëmarrësit) në masën 100%, të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi.