Punimet në shkollën 9-vjeçare Neim Babameto në qytetin e Durrësit janë drejt përfundimit. Shkolla e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit të shkuar, i është nënshtruar procesit të rindërtimit prej muajit korrik për të çelur dyert më 26 nëntor për mbi 900 nxënës. Agjencia Telegrafike Shqiptare ka vëzhguar nga afër punimet, që janë fokusuar tashmë në muraturën, suvatim dhe vendosjen e sistemeve elektrike dhe hidraulike. Komuniteti shprehet i paduruar për të parë të përfunduar punën, që sipas tyre po ecën me ritëm tejet të lartë.
Lajm i mirë është se fëmijët janë gjynah të qëndrojnë rrugëve, duke lëvizur me autobusë sa andej këndej. Është shumë lajm i mirë! Urojmë të përfundojë sa më shpejt, që të shpëtojmë edhe ne. Ritmi i punimeve duket goxha mirë, ne nuk jemi ekspert që të vlerësojmë cilësinë, por mirë duket,- u shpreh një qytetare për ATSH-në. Shumë e bukur, shumë e mirë, punimet janë bërë cilësore, por shpresojmë të mbyllet sa më shpejt se edhe kalamajtë janë duke u endur tek shkolla tjetër. Ne si prindër jemi të kënaqur me zhvillimin e punimeve që po bëhen,- tha një tjetër qytetar. Jam në klasën e shtatë. Shumë mirë më duket, më pëlqen shkolla, duket e fortë. Shumë cilësore, unë jam në klasën e 9 dhe mezi presim të futemi në shkollën e re,- u shprehën dy nxënëse të shkollës Neim Babameto për ATSH-në. Shumë e bukur. Shpresojmë të përfundoj sa më shpejt që të shpëtojnë edhe fëmijët,- thanë dy qytetarë të tjerë për ATSH-në.
Kontrata jonë ka nisur në fillim të korrikut dhe mbaron në mesin e muajit dhjetor. Me ritmet që po punojmë në pretendojmë të përfundojmë punimet në 26 nëntor. Shkolla ka një kapacitet prej 960 nxënësish, ku përfshihen klasat, ambientet ndihmëse, shtatë të tillë, ka ashensor, ka palestër, që do shërbej edhe për komunitetin, jo vetëm për nxënësit e shkollës. Shkolla është e parashikuar edhe me shkallë emergjence në raste zjarri apo tërmeti dhe është projektuar të përballojë mbi 8 ballë tërmet, sipas sizmologjisë që ka Shqipëria,- tha Artur Asllanaj, inxhinier i zbatimit për Agjencinë Telegrafike Shqiptare. Në kuadër të programit të rindërtimit, 143 shkolla të reja me standarde europiane do të jenë gati brenda vitit 2021.