Teksa në 15 tetor maska do të bëhet me detyrim, kryeministri Edi Rama bëri thirrje që qytetarët të zbatojnë rregullat, në mënyrë që mos vendi mos të mbyllet sërish për shkak të COVID-19. Duke i kthyer përgjigje pyetjeve në ‘Facebook’, kreu i qeverisë theksoi se duhet të zmbrapset rreziku i një infektimi tjetër të madh. “Ne të gjithë kemi në dorë të bëjmë diçka të mëdha, të zbatojmë rregullat dhe të vendosim maskën, nga java e ardhshme, në mënyrë që larg qoftë të mos mbyllemi sërish. Tani po punojmë fort dhe për zerimin e të gjitha kontrolleve dhe që mos të keni asnjë shqetësim e gjithçka që fitoni, ta çoni në shtëpitë tuaja, është shumë e rëndësishme të zmbrapsim rrezikun e një infektimi tjetër të madh”, tha ai.

Ndër të tjera kryeministri u pyet dhe për specializimet e dyta për mjekët. Ai shtoi se ky është një vendim që e merr Senati dhe i takon atij që të rishikojë vendimin. “Çështja që ngre është çështje e njohur e diskutuar, Senati ka marrë prej disa vitesh një fokusim, që lidhet me specializimet atje ku ka nevoja. Këto nevoja kanë qenë pasi u mbyllën për 4 vite rresht specializimet gjatë qeverisë së kaluar. Vendimi do të rishikohet kur senati ta shoh të arsyeshme. Kjo do të ndodh kur nevojat e mundësive”, pohoi kryeministri Rama.