Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin tonë gjatë 48 orëve të fundit kanë shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve, për shkak të rënies së inerteve mbi trupin e rrugës, kryesisht në rajonin e Jugut. Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho foli sot mbi problematikat për shkak të reshjeve dhe masat e marra për përballimin e kësaj situate.
“Fluksi i shirave gjatë këtyre orëve të fundit është tej normave të caktuara, rrugët kanë kanalet e tyre që po pastrohen, kanë pusetat dhe gjithë elementët që përballojnë këto shira. Kapacitetet e madha të prurjeve në këto momente kanë dhënë problematika”, u shpreh ai gjatë një interviste në medie.
Sipas kreut të ARRSH-së, aktualisht situata është problematike në akset Skuraj- Peshkopi, Këlcyrë-Përmet dhe Hani i Hotit-Tamarë. “Zona të cilat kanë problematika janë Skuraj- Peshkopi, Këlcyrë-Përmet, aksi Hani i Hotit-Tamarë. Ne po ndërmarrim masa shtesë për përballimin e situatës. Jemi 24 orë në terren për përballimin e saj”, tha Verdho.
“Deri të mërkurën do të kemi reshje, i sinjalizoj të gjithë përdoruesit e mjeteve që të marrin goma dimri. Në zonat ku ka dëborë të marrin edhe zinxhirë me vete. Policia të jetë pranë rrugëve, për të demonstruar se kjo është një situatë e jashtëzakonshme atmosferike”, deklaroi Verdho.