36 autoambulancat e reja do t’i dedikohen menaxhimit të pandemisë COVID-19 dhe do të ofrojnë shërbim cilësor për pacientët, ndërsa përmbyllin programin e transformimit të plotë të flotës së Urgjencës Kombëtare. Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga këto autoambulanca të reja dhe moderne të Urgjencës Shëndetësore. “Mirëmëngjes dhe me kënaqësinë e përfundimit të programit të transformimit të plotë të flotës së Urgjencës Kombëtare, si edhe me krenarinë për 300 të rejat e të rinjtë e angazhuar krah për krah me ata më me përvojë, në këtë armatë shpëtimtarësh që në luftën me Armikun e Padukshëm po tregojnë vlerat më të mira të uniformës, ju uroj një ditë të mbarë”, – theksoi Rama.
Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, theksoi se “duke filluar nga hapat e parë të këtij shërbimi kur ishim 3-4 veta dhe 3 ambulanca në Tiranë, sot mbërrijmë në pjesën e fundit të realizimit të këtij projekti me të gjitha së bashku, me personel, ambulanca të reja, me trajnim, me çdo gjë të plotësuar. Ky është plotësimi i një shërbimi të premtuar pak vite më parë dhe të realizuar në këtë periudhë pandemie, kur këto burime na duheshin patjetër”. Një mjek urgjence tha se “nisur nga pajisjet dhe autoambulancat e reja tashmë çdo gjë që duhet ofruar në banesë, në rrugë, apo kudo ku ndodhet pacienti, është e mundur me këto autoambulanca”.
Ndërsa një tjetër mjeke shprehet se në këto kushte që jetojmë tani këto aparatura na vijnë në ndihmë absolutisht. “Këto janë të pajisura mirë dhe janë një spital në miniaturë dhe normalisht në këtë situatë që mund të presim një emergjencë të mundshme do të shërbejnë për ti dhënë ndihmë çdo pacienti”, – tha një tjetër mjek. Vetëm në këto dy vite janë 80 autoambulanca të reja. Flota ekzekutive në terren kalon numrin e 150 autoambulancave me kushte optimale. Këto autoambulanca do të shkojnë në çdo cep të Shqipërisë, do të shpërndahen në spitalet rajonale.