18 shtëpi individuale kanë përfunduar në njësinë administrative Gjepalaj në Shijak. Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe kreu i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana vizituan sot disa nga familjet, të cilat kanë hyrë në shtëpitë e reja të rindërtuara. “Kur hapet dera e një shtëpie të re, i merr era të gjitha llafet pa bereqet të politikës e të medias dhe një energji e re gjenerohet për të vazhduar me edhe më shumë vendosmëri drejt, përpara”, shprehet Rama. Kryeministri u ndal në familjen e Ali Meçes e përbërë nga 7 anëtarë, përfitues nga program i rindërtimit të një banese individuale 3+1. Kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana bëri të ditur se familja para tërmetit kishte një banesë prej 50 m2, ndërsa sot ajo gëzon një shtëpi të re prej 120 m2.
Rama tha se banorët nuk e besonin se ne do të arrinim tu rindërtonim shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti. “Më e mira është përpara dhe më të keqen e kemi lënë pas”, shtoi ai. Rama në vizitën e tij në kantieret e ndërtimit në Shijak, u ndal edhe në një familje tjetër përfituese e një banesë nga programi i Rindërtimit. Kreu i Bashkisë, Arbana e informoi kryeministrin se familja prej 7 anëtarësh ishte vendosur në Gjepalaj 6 vite më parë nga Gramshi në një banesë prej rreth 90 m2. Ajo tanimë është përfituese e një banesë 3+1 prej 120 m2. “Nuk e prisja kurrë që të na rindërtohej shtëpia. Perëndia na i rrafshoi, por ju na i ringritët”, tha kryefamiljari. Ai, më tej theksoi se qeveria nuk bëri “vetting”, nuk pyeti për përkatësi partiake, por u rindërtoi të gjithë qytetarëve të prekur banesat. Përfituese e një banesë nga programi i rindërtimit është edhe familja e Eqerem Gjepalajt. Kryeministri Rama i dorëzoi sot çelësat kësaj familje. Ajo është e përbërë prej 5 anëtarësh dhe jeton në Itali.
Eqeremi, theksoi kreu i bashkisë së Shijakut, është pensionist. “Në bazë të sistemit të pikëzimit, shtëpitë e para që kanë nisur të rindërtohen janë ato të pensionistëve të vetmuar apo familjet që kanë shumë shtëpi”, tha Arbana. Eqeremi u shpreh se patëm fatin e madh që ishit ju kryeministër, se po të ishte një tjetër do të kishim hequr më keq se sa hoqëm nga tërmeti. Emin Gjepali është një tjetër përfitues i një banesave nga Rindërtimi, më të mirë se ajo që kishte. Para tërmetit kjo familje prej 3 anëtarësh kishte një shtëpi prej 60 m2. Sot, ai ka përfituar një banesë më të sigurt prej 85 m2. “Paralelisht me rindërtimin e banesave shumë shpejt nis edhe puna për ndërtimin e ujësjellësit të ri në Gjepal. Do të keni ujë 24 orë. Po ashtu, do të investohet dhe në ndërtimin e rrugëve. Po vazhdon edhe investimi për rrjetin elektrik, në të cilin nuk ishte që në kohën e elektrifikimit”, tha kryeministri Rama.