Përfundon sot fushata elektorale për zgjedhjet e parakohshme të 14 Shkurtit në Kosovë. Subjektet politike kanë kohë vetëm edhe sot të bëjnë fushatë zgjedhore fushatë që nisi më 3 shkurt. Fushata ka qenë më e shkurtra në historinë e vendit, ku partitë kanë pasur vetëm 10 ditë kohë për të shpalosur para qytetarëve programin e tyre qeverisës dhe kandidatët për deputetë.

Tubimet e subjekteve politike kanë kaluar të qeta dhe pa incidente, por ironikisht edhe pse me plane të fokusuara në luftën kundër pandemisë, ata vetë nuk respektuan masat antiCOVID. Inspektorati në Prishtinë ka vendosur të paktën 11 gjoba për subjektet politike, Tri gjoba për Lidhjen Demokratike të Kosovës, tri gjoba për Partinë Demokratike të Kosovës, dy gjoba për Lëvizjen Vetëvendosje, dy gjoba për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe një gjobë për Nismën Socialdemokrate. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka dhënë tri gjoba për partitë politike, të cilat arrijnë shumën e 43 mijë e 700 euro. Pjesëmarrëse në këto zgjedhje është diaspora, ku deri më tani kanë arritur 15 mijë e 966 pako me fletëvotime të cilat janë dërguar nga jashtë shtetit. Lista përfundimtare e votuesve brenda vendit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës ka 1 milion e 794 mijë e 862 persona.