Nga Skënder Minxhozi

Fatos Nano nuk ka qenë kurrë një person për t’u marrë lehtë për ato që thotë. Ka bërë shkollë me oratorinë, ironinë dhe aftësinë për të goditur, shpotitur a sulmuar armiqtë jo të paktë rreth vetes. Di kaq shumë, por ka folur kaq pak. Veçse tani që vendosi të bëjë një përjashtim e të dalë nga heshtja e tij proverbiale, duket se tha ca gjëra që duhet t’i kishte thënë më parë e më fort. Më mirë vonë se kurrë. Që Nano mbetet një socialist i vjetër, kryesocialisti në fakt, kjo nuk është pak por e sigurt. Gabimet jo të pakta që ka bërë, paktet, paqëndrueshmëritë, anët e papërgjegjshme dhe dobësia e qeverisjes dhe karkateri acid që ka treguar ndër vite, nuk e bëjnë gjithsesi hiç më të keq sesa ata që i ka pasur bashkëkohës apo parsardhës. Fatos Nano është mjaft i ri që të ketë pasur mundësitë ta vendosë me qetësi trashëgiminë e vet, në vargun e gjatë të karrierave të konkurrentëve të vjetër e të rinj. E kjo përballje të jep të kuptosh se ai mund të jetë i qetë që ka lënë pas standarde të dorëheqjes e ndarjes së pushtetit, që askush nga të djeshmit dhe të sotmit nuk i barazojnë dot.

Kemi pasur (dhe çmendurisht i kemi ende edhe 30 vjet më pas) politikanë të përgjakshëm si Sali Berisha, hileqarë si Ilir Meta apo personalitete komplekse si Edi Rama, e në këtë listë emrash, ai i Fatos Nanos nuk stonon asesi. Përkundrazi. 16 vjet të shkuara, kur një figurë historike vetëm 53-vjeçare, vendoste të dilte prej vërteti nga jeta politike, një tjetër, sot 75 vjeç, bëhej gati të hynte triumfalist në cmendurinë e tij të rradhës si lider shteti. Përballja me Sali Berishën dhe krahasimi me të, është një ndër padrejtësitë më të mëdha që i janë bërë Nanos dje dhe sot. E që u bë edhe mbrëmë pas intervistës televizive, kur llumi i medias dhe rrjetit social ji vërsul të dytit në emër të avokatisë së të parit e të tjerëve si ai. Është qesharake fjala vjen sesi disa rroskopë shifrash janë ulur t’i llogarisin këto orë Fatosit edhe kostot e makinës personale. Meqë kanë marrë kalkulatriçen, le të na thonë sa kushtojnë në total dy vila tek Gon Papuli, një vilë në Lalz dhe një apartament në Qerret! Pa llogaritur të tjerat, se shkon shumë lista!

Sot Nanon e sulmojnë ata që dikur bënin kryqin për të, që dikur hidheshin në flakë për kryetarin e partisë apo ata që kanë ndënjur pranë arkivolit të Maries së ndjerë ditën që vdiq, me një pikë loti në faqe, duke u kujdesur që shefi t’i shihte duke qarë. Është leksion jete dhe Fatosi s’ka pse mërzitet fare nga këto mësalla me një mijë faqe që janë gati të bëjnë më të fundit vetëm pse sot kanë inat Edi Ramën. Fatos Nano nuk i ka borxh askujt nga personat të cilët sulmoi të enjten në darkë. S’i ka borxh Sali Berishës që e futi në burg në kulmin e karrierës politike, duke vendosur një rekord të përbindshëm për Shqipërinë, në agimin e ndërrimit të sistemit. S’i ka borxh as Ilir Metës që me skuthllëqet e tij provinciale bëri lesheli partinë më të madhe politike të Shqipërisë, duke krijuar një monstër që sot duan ta zhdukin nga skena edhe demokratët, edhe socialistët. Fatos Nano nuk
kandidon në 25 prill, por ai ka të gjithë të drejtën e botës për t’ia përplasur në fytyrë të keqen atyre që të gjithë i njohim se cilët janë dhe çfarë përfaqësojnë. Atyre që po e tregojnë këto orë sesa u ka djegur një rrëfim shumë personal dhe vetëm pjesërisht politik.

Nuk na takon t’i qajmë hallin Nanos për atë që ka kaluar dhe as për sulmet donkishteske që po i bëjnë prej mbrëmë. E ka lëkurën të trashë nga karriera politike dhe mbi të gjitha, ka paguar me largim dhe me heshtje për atë që ka bërë keq, jo me pirueta hijenash, si të atyre që s’na u hoqën qafe 30 vjet me rradhë e prapë duan t’i ngjiten pas këtij vendi si Kashai i Pavdekshëm. Në këtë vend ku askush s’di të ikë, Fatos Nano të paktën dha prova se dinte ta bënte kur u bë i padëshirueshëm. “Vërsnikët” e tij të pluralizimit, Berisha e Meta më së pari, po bëhen gati të na thonë se do vijnë edhe një herë në pushtet në emër të të resë më 25 prill. Çfarë dyshje tragji-komike! Meritojnë të gjithë përbuzjen e Fatosit dhe tonën gjithashtu.