Roma vijon të tregojë dobësinë e saj përballë ekipeve të mëdha në këtë sezon të Serie A, ku deri në këto momente nuk ka mundur asnjë prej tyre. Verdhekuqtë janë mundur në ndeshjen e radhës me rezultatin 2-0 nga Juventus, i cili i parakaloi në renditje dhe vijon në këtë mënyrë ngjitjen drejt kreut ku ndodhen Inter dhe Milan. Vendasit kaluan në avantazh me Ronaldon në minutën e 13 të takimit, me portugezin që çoi një top të kalibruar nga jashtë zonës në cepin më ekstrem të portës.
Roma krijoi shumë, por nuk kishte qartësinë për të finalizuar. Pikërisht në momentin më të mirë të verdhekuqve, pas një kundërsulmi të Juventusit, mbrojtësi Ibanez shënon në portën e tij duke e çuar rezultatin në 2-0. Tashmë pas 21 javësh, Juventus parakalon Romën dhe “tregon dhëmbët” për një tjetër titull kampion në Serie A.