Leximi fizik i matësve të energjisë për periudhën janar-qershor 2021 të bëhet çdo dy muaj. Vendimi u mor nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) pas kërkesës së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) në kuadër të situatës së pandemisë së COVID-19 për të minimizuar kontaktet e punonjësve. Një praktikë e tillë u zbatua edhe përgjatë vitit 2020 ku leximi u bë çdo tre muaj ndërkohë që faturimi mujor u krye në bazë të referencës së konsumit me të njëjtin muaj të një viti më parë. Edhe për 2021 faturimi mujor do të bëhet duke iu referuar konsumit të muajit respektiv në vitin 2020.
ERE vlerëson se nuk ka arsye për të zbatuar këtë praktikë të leximit çdo dy muaj të matësit deri në fund të këtij viti dhe kjo është arsyeja pse qershori është lënë si muaji i fundit i zbatimit. Në vendimin e ERE thuhet se të gjithë klientët aktivë të kategorisë familjare/jofamiljare, do të faturohen me vlerë referuese zëvendësuese me të njëjtin konsum të muajit përkatës të vitit 2020, dhe në muajin pasardhës, faturimi do të kryhet mbi bazën e leximit të matësit dhe korrigjimin e faturës së muajit paraardhës, nëse konstatohet rrethana.
Nga kjo dispozitë përjashtohen disa kategori. “Përjashtohen ata që në muajin e faturimit me vlerë referuese, kanë faturim 0 kwh në muajin respektiv të vitit paraardhës, kanë ankesë për mbifaturim të energjisë elektrike për muajt për të cilët do të përdoret referenca, apo kanë bërë ose do të bëjnë kërkesë për pezullim/mbyllje të kontratave të energjisë elektrike në proces, pa hequr detyrimin e OSSH sh.a për vazhdimin e procedurës së pezullimit/mbylljes së kontratave sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në vendim.