Deputetët e Komisionit të Punëve të Jashtme mirëpritën angazhimin e vazhdueshëm dhe të fortë të Kosovës për të përparuar në rrugën e saj europiane si dhe mbështetjen e fortë për integrimin europian të qytetarëve të Kosovës, në raportin e miratuar nga ky komision. Deputetët shprehën keqardhjen që Kosova vazhdon me paqëndrueshmëri politike dhe u bëjnë thirrje të gjitha forcave politike në vend që të reformojnë sistemin politik në mënyrë që të përmirësojnë sigurinë ligjore dhe procesin e formimit të një qeverie të re. Në raportin e komisionit për Kosovën, eurodeputetët mirëpresin progresin e bërë në përshtatjen e kornizës ligjore për shtetin e së drejtës, por shprehin keqardhjen për “nivelin e dobët të zbatimit”, duke u bërë thirrje autoriteteve të Kosovës të shtojnë përpjekjet e tyre për të zbatuar këto ligje në të mirë të qytetarëve të tyre. “Lufta kundër korrupsionit duhet të intensifikohet në të gjitha nivelet”, theksojnë ata.
Eurodeputetët theksojnë se normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është një përparësi dhe një parakusht për pranimin e të dy vendeve në BE. Ata i bëjnë thirrje qeverisë së Serbisë dhe asaj të Kosovës që të përmbahen nga çdo veprim që mund të dëmtojë besimin midis palëve. Eurodeputetët vërejnë se pesë shtete anëtare të BE nuk e kanë njohur ende Kosovën dhe përsërisin thirrjen e tyre për ta bërë këtë. Ata theksojnë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se njohja nga të gjitha vendet anëtare të BE do të ishte e dobishme për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Me 50 vota pro, 10 kundër dhe nëntë abstenime, Komisioni për Politikën e Jashtme i Parlamentit Europian miratoi raportin për Kosovën.