Në bashkëbisedimin me qytetarë në Lezhë Kryeministri Rama është pyetur se çdo të bëhet në vijim për mbështetjen ndaj biznesit të dëmtuar nga tërmeti. Gjatë fjalës së tij Rama tha se ëndrra që e lë pa gjumë është se si të disponojmë sa më shpejt një numër vaksinash për virusin.
Kreu i qeverisë tha se duhet një numër më i madh vaksinash nga ai që është siguruar deri më tani për të kaluar në këtë mënyrë në një stad tjetër.
“Sa kohë do të jetë PS në krye të vendit , biznesi i vogël nuk do të paguajë asnjë taksë për fitimin. Këtë nuk e ka asnjë nga vendet në rajon. Po ashtu një tjetër ndihmë për biznesin dhe të gjithë shqiptarët është vaksinimi. Është shumë e afërt dita ku ne do të fillojmë vaksinimin masiv për të lehtësuar edhe sezonin e ardhshëm turistik. Nëse realizojmë një vaksinim masiv në mars-prill-maj deri në mesin e qershorit do të kemi një sezon turistik shumë më ndryshe.
Për të kaluar në një tjetër stad na duhet një tjetër sasi vaksinash, pasi me numrin e siguruar procesi do të jetë më i ngadaltë. Kjo është ëndrra që më lë pa gjumë se si të disponojmë sa më shpejt një numër vrastar vaksinash për virusin“, tha Rama.