Kandidati i Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës, Benet Beci, tha sot se shkodranët kanë arritur të kuptojnë misionin e kësaj qeveri për të zhvilluar vendin dhe ndaj ai shpreh bindjen se do ta votojnë masivisht.
“Shkodra do të shikojë një evolim dhe ai vjen nga programi i PS-së që do t’i japë asaj jo konflikt, por zhvillim përmes investimeve të qeverisë e atyre private, çka do të sjellë më tej edhe rritje të punësimit”, tha Beci gjatë një interviste në medie.
Beci theksoi se Shkodra ka nevojë për një garë me platform e ide e programe, dhe të mos mbetet peng i konflikteve politike.
“Për mua është e rëndësishme të gjendet një gjuhë tjetër për të kaluar përtej kësaj, pasi nuk i kanë dhënë ndonjë avantazh për zhvillimin e saj. Kjo do të bënte që zhvillimi ekonomik të ndodh me një shpejtësi më të lartë të mandatin që vjen”, tha Beci.
Mandati i tretë i qeverisë, theksoi ai është i rëndësishëm për të vijuar me investimet e nisura jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë vendin.
I pyetur se si mund të jesh fitues në Shkodër, Beci tha se është e rëndësishme të kesh besimin e tyre.
“Në Shkodër duhet të marrësh besimin duke u treguar atë që t’i mund tu japësh dhe si ekip, i cili për hir të së vërtetës është shumë komplementar, që nga eksperienca në politikë të individëve, si Paulin Sterkaj apo Ilir Beqaj apo të rinj si Edona Bilali tepër të përgatitur”, tha ai.
Shkodra, tha Beci, pritshmëritë e saj i ka të larta e me të drejtë.
Ai komentoi marrëdhëniet me ish-kryeministrin Berisha, apo Presidentin aktual Meta, dikur bashkëpunëtor në qeverinë e tyre në poste drejtuese.
Sipas tij, është krejt normale të kesh një statujë profesionale afatgjatë, dhe të kesh një qeveri të cilët i mbajnë profesionistët.
“Do ta shihja si një prurje më bashkëkohore. Shpesh themi ndërrohet një qeveri, vjen një tjetër. Ndërrohen drejtora, në fakt është krejt normale të kesh një staturë profesionale afatgjatë, dhe të kesh një qeveri të cilët i mbajnë profesionistët. Kështu ka ndodhur me mua në fakt në këto vite, është një tregues i mirë i mënyrës se si qeveritë mund të punojnë duke mbajtur stafe profesionale. Them se kjo nuk është një gjë shumë e panatyrshme, të punosh me shumë qeveri. Në momentin kur je duke punuar, janë marrëdhënie profesionale, në të cilat përkushtimi, angazhimi, organizimi janë elementë që kushdo do të donte t’i kishte në ekip. Dhe te Fondi Shqiptar i Zhvillimit ekipi ka pas një performancë të jashtëzakonshme. Kushdo që ka punuar me ne, ka qenë i kënaqur dhe ne kemi shfaqur pjesën tonë profesionale në gjithë këto komunikime dhe kemi arritur t’i japim vendit më të mirën. Realizimi i projekteve të mëdha është çelësi i suksesit që kemi arritur të kemi bashkëpunim edhe me qeveritë dhe kryeministrat”, u shpreh Beci.
Beci shpjegoi edhe pse besoi Ramën në këto zgjedhje.
“Kam 8 vite eksperiencë që punoj me kryeministrin Rama. Janë 8 vite të një marrëdhënie profesionale, tashmë edhe njerëzore. Ka një dinamizëm që na bashkon dhe një gjë të përbashkët për t’i shkuar gjërave deri në fund edhe për të patur një performancë dhe dinamizëm në punë. Kjo mund të them që është pjesa që na bashkon dhe që unë e gjej veten me kryeministrin dhe me partinë e programin që në fakt është dinamik’, theksoi ai.
Ai shtoi se duke qëndruar larg pjesës politike është krijuar edhe mundësia t’i përgjigjet detyrave të qeverisë apo të kryeministrave me performancën që është dashur, pasi shpreh bindjen ai, ngatërrimi i dy rrafsheve shpesh nuk është diçka që të jep një produkt të mirë.
“Besoj edhe Rama këtë e ka vlerësuar dhe kjo qenë që ai ka dalë përtej pjesës politike, për të parë atë që Shqipëria ka nevojë dhe është krijimi dhe ndërtimi i profesionistëve të vërtetë, pa shumë pjesë të politikë. Deri tani ka qenë kjo arsye pse kam pas një marrëdhënie profesionale të mirë me të gjithë aktorët.” u shpreh Beci.
Ndër të tjera, Beci tha se ka patur diskutime edhe me qeveritë e mëparshme për t’u bërë pjesë e politikës, por tha se nuk ka patur asnjëherë ftesë zyrtare.
“Ka patur diskutime të ndryshme, po nuk kam qenë asnjëherë gati për të qenë në politikë. Tani mund të them që e kam kryer ciklin. Unë mendoj se edhe hyrja në politikë është një fazë e një zhvillimi personal. Ka qenë diskutime, jo ftesa zyrtare”, u shpreh ai.