Christian Drosten, virologu i njohur gjerman nga Klinika Universitare në Berlin, ka shprehur keqardhje për zhvillimet e fundit që sollën pezullimin e vaksinimit me vaksinën AstraZeneca.

Sipas Drosten, shtimi i rasteve të trombozave duhet “marrë natyrisht me seriozitet dhe duhet verifikuar”. Drosten, theksoi se nuk do të bëjë vlerësim për vendimin, dhe nuk ka informacione shtesë.

Megjithatë, për shkak se kjo po ndodh në fillim të valës së tretë të koronavirusit duhet menduar sidomos “që kemi nevojë për vaksinën“, tha studiuesi i njohur në podcastin e tij për radion NDR, “përditësim mbi koronavirusin“. Gjendja aktuale e pandemisë në Gjermani nuk është e mirë, paralajmëron Drosten. Variani më infektues B1.1.7. po zë vend gjithnjë e më shumë, pjesa e tij ndërkohë kap tre të katërtat e infektimeve.

“Ne do të kemi pak pas pashkëve një situatë si në kohën e krishtlindjeve“, tha virologu. Instituti Robert Koch, para disa ditësh bëri një prognozë të zymtë të rritjes së infeksioneve. Situata do të përkeqësohet më shumë për shkak të variantit britanik. Sidomos “kritike” ajo do të bëhet për brezin e pavaksinuar të personave rreth 50 vjeç. Të hënën, Instituti Paul Ehrlich, PEI rekomandoi ndërprerjen e vaksinimit me AstraZeneca.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë janë njoftuar 8 raste me tromboza në hapësirën kohore të vaksinimit. Drosten është shprehur se i mungojnë informacione shtesë për ndërprerjen e vaksinimit me AstraZeneca po ai thotë se duhet menduar, nëse ky shpeshtim rastesh mund të jetë edhe një problem statistikor.