Ora 24:00 e ditës së sotme do të shënojë përfundimin e afatit që kanë partitë politike për të zbuluar emrat e kandidatëve me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e 25 prillit në 12 qarqet e vendit.
Partia Demokratike dhe 12 parti të tjera aleate do të dalin me një listë të përbashkët me koalicionin ‘Partia Demokratike-Aleanca për ndryshim’, ndërsa Partia Socialiste dhe LSI do të dalin me listat e tyre pa asnjë koalicion.
Ndonëse duket se në listat e kandidatëve për deputetë, nuk do të ketë ndryshime të mëdha nga ato të 2017, dy forcat kryesore politike janë kujdesur të sjellin edhe risi.
Kreu i qeverisë kërkon mandatin e tretë duke përfshirë dy figurat publike të rindërtimit dhe pandemisë, Luljeta Bozon dhe Najada Comon, ndërsa kryedemokrati Basha, nëpërmjet një procesi të përzgjedhjes së kandidatëve, të nisur që në qershor të 2020, kërkon të vijë ndryshe me emra nga bota akademike apo shoqëria civile në çdo qark, ku do të përfshihen shkrimtarë si Flutura Açka në Elbasan, aktorë si Robert Budina dhe Julian Deda, por edhe mjekë si eksperti i shëndetësisë Gazment Koduzi në Qarkun e Fierit.
Në Tiranë, palët duket se nuk do të prodhojnë surpriza, për vetë faktin që emrat e secilës forcë, duket se janë të qartë. Edhe LSI nuk i ka lënë surprizë listën e saj të kandidatëve për Qarkun e Tiranës, ku ka përqëndruar figurat më të rëndësishme, si Përparim Spahiu, Erisa Xhixho, Petrit Vasili, Edmond Haxhinasto, Floida Kërpacin, Edmond Haxhinaston, Silva Cakajn dhe Besnik Jakaj.