Nga Dritan Hila/ Afrimi i fundit të fushatës tregon se opozita nuk ka asnjë lepur në kapele që të çudisë publikun. Gjithçka vazhdon me skema të vjetra te viteve ‘90-të që fillojnë me pritje vargu makinash dhe flamuj, sikurse dhe premtime që shqiptarët e viteve 2020-të e kanë jashtë inteligjencës së tyre që ta hanë. Ata nuk janë më të para 30 viteve kur një skocez i psonisur s’dihet se ku, me emrin John McGou, premtonte se do sillte arin që kishin fshehur komunistët në bankat e perëndimit.

Fatkeqesisht ata që shoqëronin Johnin që sot si gjendet emri as në “Google”, janë ende kandidatë për deputetë dhe fantazia aty ju ka ngelur. Por jo shqiptarëve! Këtë e tregojnë edhe sondazhet. PS-ja vazhdon mbetet forcë e parë, ndërsa PD-ja dhe LSI-ja hanë nga kuotat e njëra-tjetrës por pa ja dalë të çojnë stekën më lart se 2017-ta.

PD-ja po rikuperon elektoratin e saj nga LSI-ja ndërsa kjo e fundit mendon se duke promovuar kalamajtë e Jalës do bëjë çudira. As leximi i sondazheve sipas qejfit nga analistët e opozitës nuk e ndihmon në këtë pikë. Sepse votat do t’i japin votuesit dhe jo analistët.

Nëse krahu opozitar mendon se edhe me një formacion të përçarë ku shizmat reale të Murrizit, Patozit, Topallit e gërdyejnë por megjithatë i bën numrat të vijë në pushtet, apo se shqiptarët kanë nostalgji për rikthimin e katërt të Berishës dhe të shohin si aleancë të shpresës atë mes Berishës, Metës dhe Kryemadhit, a se mendojnë që kjo aleancë do pastrojë korrupsionin dhe ndërtojë institucione, atëhere kanë një problem të madh me aparatin e analizës.

Ndaj sondazhet ngado që t’i kapësh tregojnë se PS-ja mbetet forcë e parë dhe mbledhja e forcave opozitare, me sistemin aktual, do nxjerrë një rezultat si 2017-ta. Rama mund të ketë probleme ekipi por jo leximi të humorit të zgjedhësve.

Ndërsa nga krahu opozitar nuk janë problem sondazhet qe bëhen nga shoqëritë më të mira perëndimore që nuk kanë ndërmend të lenë reputacionin e tyre profesional në Shqipëri, por leximi qe kanë qejf t’i bëjnë. Ose fundja mund ta lexojnë si të duan, problemi është rezultati i 26 prillit.