Kryeministri Rama nuk premton dot një hapje totale në këtë verë por garanton një sezon turistik shumë të lehtësuar për shkak të vaksinimit.
“Ne do të arrijmë në gjysmë milioni brenda majit dhe pastaj do të vijojmë intensivisht. Hapje totale është fjalë e madhe por e sigurt që do të kemi sezon turistik më të lehtësuar. Ne punojmë çdo ditë-natë në të katra anët, në të gjitha kontinentet për vaksinat”, tha ai.
Kryeministri shprehet se qytetarët e dinë vështirësinë e mandatit të tij të dytë qeverisës.
“Unë mendoj se shqiptarët janë të vetëdijshëm se ne as nuk i zgjodhëm por edhe as nuk i shmangëm 2 goditjet e mëdha që morëm. Mandati i dyti ishte më shumë mandat lufte sesa qeverisës. Na pengoi pa çuar deri në fund punë të rëndësishme. Por sa të kalojmë këtë sfidë të madhe të pandemisë ta bëjmë Shqipërinë ëndrrën e të gjithëve për të punuar të gjithë së bashku për rritje ekonomike për të gjithë”, tha Rama në intervistën për Report Tv.