Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në një takim me të rinj në Laprakë, Tiranë, tha se sfida e tij më e madhe është “bashkimi i forcave të jashtëzakonshme kundër atyre që janë bashkë për të na mbajtur të përçarë”. Ai ironizoi me një palë atlete që mori dhuratë nga një sipërmarrës shqiptar, ku jo rastësisht kishte zgjedhur të majtën në ngjyrë të bardhë dhe të djathtën në ngjyrë të zezë.
Sipas Ramës, opozita është bashkuar vetëm për të thënë se gjatë 8 viteve të qeverisë së tij në pushtet, gjithçka ka shkuar më keq.
“Nuk mora të majtën dhe të djathtën e bardhë, mora të majtën e bardhë dhe të djathtën e zezë, për të thënë që për të vrapuar duhen të dyja këmbët, për të shkuar më lart duhen të dyja këmbët, për mua sfida e madhe është që të bashkojmë forcat e jashtëzakonshme të njerëzve të zakonshëm, jo vetëm kundër të gjithëve siç thuhet, por vetëm kundër atyre që janë bashkë për të na mbajtur të përçarë, vetëm kundër atyre që janë bashkë për të thënë se në këtë vend gjithçka ka shkuar më keq se 8 vite më parë, ndërkohë që nëse ky vend sot është ngjitur deri në një pikë dhe ka shansin të ngjitet shumë më lart, do ndodhë sepse ne nuk jemi vetëm, por të bashkuar me ata që pavarësisht bindjeve të tyre politike, kanë një besim se jeta e tyre mund të behët më e mirë këtu duke punuar”, tha Rama.