40,800 doza Astrazeneca pritet të vijnë sot në vendin tonë. Kryeministri Rama, përmes një postimi në rrjete sociale njoftoi dy ditë më parë se sot dhe të dielën do të mbërrijnë 90 mijë e 800 doza të vaksinën AstraZeneca, ndërsa nisi në Durrës vaksinimi i operatorëve të hoteleri-turizmit, si një mundësi reale për rimëkëmbjen e këtij sektori jetik për ekonominë e rajonit. Rama tha se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë në vendet e para të klasifikimit evropian për shpejtësinë e vaksinimit dhe objektiv është tejkalimi i 500 mijë vaksinime brenda muajit maj.
“Të shtunën dhe të dielën mbërrijnë 90 mijë e 800 vaksina Astrazeneca. Shqipëria do të vijojë të qëndrojë në vendet e para të klasifikimit europian për shpejtësinë e vaksinimit dhe ne do ta tejkalojmë objektivin e 500 mijë të vaksinuarve brenda majit. Kur ia dolëm me tërmetin e me pandeminë, si të mos ia dalim me rritjen e fuqishme ekonomike në vitet me diell që kemi përpara! Karakteri ynë u sprovua në dy tragjedi të mëdha dhe fuqia jonë e përbashkët do të vazhdojë të bëjë të mundura edhe arritjet më të vështira. Besim, durim, bashkim dhe punë ditë e nate”, shkroi Rama.
Së shpejti do të nisë vaksinimi dhe për dy kategori të tjera, punonjësit e fabrikave dhe transportuesit e udhëtarëve. Gjatë ditës së sotme, në Durrës, u vaksinuan rreth 450 punonjës të sektorit hotelier. Kujtojmë se procesi i vaksinimit në vend vijon që prej 11 janarit në të gjithë vendin, ku qytetarët shqiptarë deri më tani po imunizohen me vaksinat Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Coronavac.