Nga Durrësi, ku është ndalur sot në një takim me të rinj, Kryeministri Edi Rama ka prekur në fjalën e tij çështjen që është bërë ‘virale’, atë të patronazhistëve.
Rama i falënderoi publikisht të gjithë ata që kontribuojnë, pasi sipas tij PS është një rrjet i organizuar. “Sot ata që nuk e dinë se çfarë pune, çfarë angazhimi të padukshëm ka brenda PS, kanë zbuluar fjalën patronazhist, dhe e sjellin vërdallë e vërdallë, duke e deformuar kuptimin e saj. Për faktin se ata nuk e dinë se PS, është një familje ku të angazhuarit brenda familjes punojnë. Punojnë vullnetarisht, pas pune, pas shkolle, punojnë duke marrë nga koha e tyre e lirë për të mbuluar territorin shpirtëror të këtij vendi. Për të pasur komunikim të drejtpërdrejtë me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Sepse beteja e përditshme e PS është beteja për të fituar mendjet dhe zemrat e njerëzve”, tha Rama.