Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama tha se shumë shpejt vendi do të dalë nga “tuneli sfilitës” i pandemisë. I pranishëm në Bylis në Mallakastër, Rama u shpreh se kërkojnë mandatin e tretë, por që në fakt nuk vijnë nga dy mandate, por “nga një mandat dhe një luftë që nuk ka mbaruar ende”.

Sipas Ramës, me ritmin me të cilin po ecën vaksinimi në vend, do të ngjitemi në pjesën e sipërme të klasifikimit të vendeve të Europës për nivelin e vaksinimit.

“Ne kërkojmë mandatin e tretë, por nuk vijmë nga 2 mandate por nga 1 mandat dhe nga një luftë që nuk ka mbaruar sepse i tillë ka qenë mandati ynë i dytë. Një luftë që do kishte gjunjëzuar shumëkënd, por jo qeverinë tonë, në përballjen me dy fatkeqësi të jashtëzakonshme, Një tërmet shkatërrimtar dhe më pas një pandemi që vjen njëherë në 100 vjet. Rreth 15 muaj pas tërmetit të parë dhe 12 muaj pas pandemisë, ne tanimë jemi në avantazh sepse po ndërtojmë shkollat e reja, po kthejmë në shtëpi familjet që humbën çatinë në pak sekonda, po ndërtojmë lagje të reja dhe po kryejmë vaksinimin masiv, siç nuk po ndodh në vendet rrotull nesh. Me organizimin që kemi bërë dhe me këto ritme, do të ngjitemi në pjesën e sipërme të klasifikimit të vendeve të Europës për nivelin e vaksinimit dhe shumë shpejt do dalim nga ky tunel sfilitës i kësaj pandemie”, tha Rama.