Beteja e ngushtë për qarkun e Korçës mes qeverisë dhe kampit opozitar solli humbjen e LSI-së, ndërsa PS ruajti pozicionin duke mbajtur mandatin e gjashtë.
Korçarët i dhanë edhe një herë një fitore të pastër socialistëve në zgjedhjet e së dielës me 48.9% të votave, megjithëse PS mori 2,200 vota më pak në krahasim me vitin 2017, ndërsa demokratët u rritën me mbi 8%.
Pas përfundimit të numërimit të votave, pjesëmarrja në Qarkun e Korçës rezulton e njëjtë me atë të katër viteve më parë dhe jo, siç u sugjerua nga të dhënat paraprake të KQZ-së gjatë ditës së zgjedhjeve, më e lartë.
Vetëm 47% e qytetarëve me të drejtë vote morën pjesë në votimet e këtij qarku ku përfshihen bashkitë Korçë, Devoll, Pogradec, Maliq, Ersekë dhe Pustec.
Socialistët morën 60 mijë vota, demokratët 50 mijë dhe LSI mori 8500 vota.
Demokratët rezultojnë shumicë në bashkinë Devoll (46%) ndërsa socialistët janë shumicë në bashkitë e tjera, ku në Kolonjë morën 53%, në Maliq 52%, në Pogradec 49% dhe në Korçë me 47%.
Në Bashkinë Korçë rezultati i socialistëve është vetëm 100 vota më i lartë se sa rezultati i PD dhe LSI të llogaritura sëbashku, gjë që e bën ndoshta fushëbetejë këtë bashki për zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi rezultoi kandidati më popullor mes socialistëve duke marrë mbi 11 mijë vota pëlqyese, pasuar nga Ilirian Pendavinji me 6,200 vota dhe Bledi Çomo me gati 5,800 vota.
Por pavarësisht numrit të lartë të votave pëlqyese, Çomo, [CV LINK] nënkryetar aktual i bashkisë Pogradec, nuk do të jetë deputet, pasi është renditur i teti në listën e PS.
Mes demokratëve, 33 vjeçari Ervin Salianji [CV Link] duket se realizoi një fitore të dyfishtë, duke qenë vetë më i votuari me 9,400 vota si dhe duke siguruar një shumicë të thjeshtë në zonën e Bilishtit.
Seladin Jakupllari, mjek në Pogradec, [Link CV] u rendit i dyti me 7400 vota ndërsa po kaq mori edhe Bledjon Nallbati, ish-kryebashkiak i Devollit.
Blerina Gjylameti është gruaja më e votuar mes kandidateve të PS me 5,400 vota ndërsa Marjeta Halili është kandidatja më e votuar në PD me 2300 vota.
Rreth 88% e votuesve të PD dhe 85% të PS dhanë votë pëlqyese. (BIRN)