“Shkarkimi i Metës, me rëndësi të madhe”, u shpreh avokati i njohur, Spartak Ngjela, teksa ishte i ftuar në studion e emisionit “Breaking” në Top News, duke komentuar hapat që janë ndërmarrë për shkarkimin e presidentit nga detyra.
Sipas avokatit, Meta duhet që të paraqitet në Komisionin Hetimor që të mbrohet.
“Duhet të shkojë vetë me avokatin. Jepi vetes mbrojtjen. Njëra palë do të paraqesë akuzën, e ky duhet të mbrohet. Si? E para do të thotë se nuk isha mirë, mbrojta ka shumë aspekte.
Është qëndrimi psikik i personit ndaj veprës. Nuk e dimë qëndrimin psikik të Metës për veprimet që ka bërë, për të cilën e akuzojnë”, tha Ngjela.
Avokati shtoi se do të ishte shenjë e mirë nëse largohet vetë presidenti dhe nuk e shkarkojnë të tjerët.
“Më mirë do ishte të kishte dhënë dorëheqjen, në konceptin e mbrojtjes. Kjo është hera e dytë, herën e parë u tërhoqën ata. E kësaj radhe nuk është vetëm mazhoranca, por edhe Uashingtoni që nuk po reagon e që duket se kërkon largimin e presidentit.
Ishte e turpshme kur Meta tha se ishte me Rusinë. Nuk di të mbrohet. Duhet të kërkosh alibinë, ai nuk e kupton”, tha Ngjela.
I pyetur se pse është kaq agresiv me ndërkombëtarët, avokati u shpreh se e ka shqetësuar shumë reforma në drejtësi.
“Reforma në drejtësi ka dy anë, është reforma në drejtësi dhe ajo në korrupsion. Nuk do të kapë vetëm Metën, të gjithë, por ky ishte më i acaruar.
Edhe Partia Demokratike tha se sa të vijmë ne do të ndalojmë reformën në drejtësi, e ndryshoi, por ishte vonë.
Meta frikën kryesore, shqetësimin e ka pasur nga reforma në drejtësi, është domosdoshmëri për Shqipërinë, edhe pse të bën dëm ty”, shtoi Ngjela.
Ndërsa duke folur për dekorimet e shumta që ka bërë Ilir Meta, avokati tha se nuk janë shkelje ligjore, mbase morale.
“Njeriu i thjeshtë nuk e bën dallimin dot ndaj shkeljes ligjore dhe morale. Ligji vjen nga morali, por jo nga të gjitha aspektet e moralitetit.
Etika nuk është ligjore. Po të flasësh pa etikë, nesër nuk mund të dalësh këtu. Presidenti akuzohet për gjërat ligjore, jo për etikë”, tha Ngjela.