Kryeministri Edi Rama inspektoi sot kantierin e rindërtimit në Bubq, Krujë, ku së shpejti në fund të kësaj vere, 120 familje do kenë apartamente të reja në 7 pallate dhe 75 banesa individuale.

Kryeministri tha se “kjo do të jetë si rezidencë e të pasurve, por për njerëzit e varfër”.

Ndërsa kërkoi që të merren masa për sistemimin e të gjitha hapësirave publike, kryeministri Rama kërkoi që të krijohej një skemë administrimi për këtë lagje.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj informoi se janë 7 pallate që po rindërtohen prej të cilëve 3 janë në fazë të avancuar.

“Ura është e re dhe gjithë infrastruktura është e bërë rishtaz e re. Janë 45 apartamente në 7 pallate me kate të ulta dhe 78 njësi individuale. Pallatet janë me veshjen e jashtme me standardet e fundit me kursim energjie dhe me ashensor. Banesat individuale janë po ashtu me kapotë për eficencë energjie”, tha Ahmetaj.

Ai informoi se me shtëpitë individuale kemi rreth 40-50 ditë punë për t’u përfunduar ndërsa pallatet përfundojnë në 25 qershor.

“Edhe shkolla ka mbaruar. Tek apartamentet e pallateve janë shtruar linjat ngrohje-ftohje dhe kur të hyjnë familjarët mund të vendosin kondicionerët. Zona është me hapësira publike dhe gjithë kuadrati do të sistemohet si park i gjelbër. Në krahun e djathtë kemi edhe amfiteatrin”, tha ai.