Një lajm i tmerrshëm ka shokuar botën e garave me motorë, pasi është ndarë nga jeta 19-vjeçari zviceran Jason Dupasquer. Piloti garonte në Moto 3 dhe pësoi një aksident të frikshëm në kualifikueset e garës së djeshme në Mugello të Italisë.
Nga pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, Dupasquer goditet fillimisht nga motori i tij dhe më pas nga ata të konkurrentëve të tjerë Sasaki e Alcoba, duke pësuar dëmtime të rënda.
Piloti 19-vjeçar u transportua menjëherë drejt spitalit Careggi në Firenze, me dëmtime të shumta cerebrale dhe mbrëmjen e djeshme iu nënshtrua edhe një operacioni në kokë, shkruan supersporti.
Megjithatë pavarësisht përpjekjeve, as ndërhyrja kirurgjikale nuk shërbeu për t’i shpëtuar jetën, e cila u ndal përfundimisht paraditen e sotme, teksa lajmi u dha nga vetë organizatorët e Moto GP në rrjetet sociale.
“Jemi shumë të pikëlluar të njoftojmë humbjen e pilotit Jason Dupasquer. Në emër të të gjithë familjes së Moto GP-së, u dërgojmë ngushëllimet e sinqerta skuadrës së Jason, familjes dhe gjithë të dashurve të tij. Do të jetë një mungesë e madhe. Prehu në paqe Jason”, shkruhej në faqen zyrtare të MotoGP.