Mbrojtja e Territorit dhe zbatimi rigoroz i Kodit Penal për aktivitetet e paligjshme, nga ndërtimet pa leje tek prekja e pyjeve, lumenjve, liqeneve dhe zonat e mbrojtura natyrore e kulturore, duhet të bëhen urgjentisht prioritet i njëjtë me luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit për Policinë e Shtetit. Ky ishte mesazhi i dy javëve më parë dhe angazhimi madhor i Qeverisë shqiptare që është shpalosur nga Kryeministri Rama, i cili pritet që të fillojë javën e ardhshme në teren.
Përmes një aktiviteti të posaçëm zhvilluar sot në Shëngjin, Kryeministri Rama i shoqëruar nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, drejtori i Kadastrës, Artan Lame si dhe drejtori i policisë Ardi Veliu, paralajmëroi edhe një herë të gjithë ndërtuesit pa leje.
“Të lexojnë kodin penal se çfarë i pret në momentin kur konstatohet flagranca nga policia e shtetit, dhe në momentin kur duhet të ballafaqohen drejtpërdrejt me pasojat e rënda. T’i fillojnë t’i prishin vetë. Me Kodin Penal janë të gjithë pjesë e fajësisë. Nuk mund të thuash që unë jam thjesht punëtor. Është një lloj si të thuash ‘me morën për të transportuar miell, unë kujtova se ishte miell por ajo ishte kokainë’ . Bregdeti është pasuria më e madhe që Zoti i ka lënë këtij vendi. Dhe ne nuk mund ta lëmë këtë lloj aktiviteti të paligjshëm. Këtu nuk bëhet fjalë për struktura të shpejta por për beton që hidhet. Të gjithë cenuesit e kësaj pasurie të tërhiqen tani, ta prishin vetë ndërtesën. Sado e madhe të jetë do ta prishim. Kush nuk do ta pastrojë vetë do ta paguajë”, tha ndër të tjera Kryeministri.