Profesor Rexhep Qosja festoi 85-vjetorin e lindjes. Kryeministri Edi Rama ka uruar profesor Qosjen në Facebook ndërsa shkruan: Përulësisht i uroj edhe 100 një heroi të mendimit shqiptar, Profesor Rexhep Qoses.

Rama ka zgjedhur t’i urojë ditëlindjen profesorit me dokumentarin “Rexhep Qosja, Rilindasi i Fundit” të realizuar nga gazetarja e mirënjohur Rudina Xhunga kur Rexhep Qosja festoi 80-vjetorin e lindjes.

Në dokumentar kryeministri Rama është shprehur për Rexhep Qosjen: Njohja ime me Rexhep Qosjen është shumë e hershme, i përket kohës së librave të ndaluar. Në atë kohë unë isha në Liceun Artistik edhe përpiqeshim që të hapnim sa të mundeshim dritaren e mbyllur të passhtëpisë, sepse dritarja e hapur në të katra kanatet e shtëpisë ishte dritarja e propagandës së përditshme. Në atë kohë më ra në dorë libri “Anatomia e Kulturës” shkruar nga Rexhep Qosja. Libër i ardhur në Bibliotekën Kombëtare, por që kishte një qarkullim të kufizuar dhe nuk ishte një libër i konsumit të përgjithshëm. E kam lexuar disa herë atë libër, sepse në atë kohë tingëllonte si diçka tjetër nga daullet e estetikës marksiste-leniniste të kohës. Prej atij momenti e kam admiruar Rexhep Qosjen për faktin se solli një gjë të re në jetën time.

E kam admiruar gjithmonë Rexhep Qosjen për qartësinë mes atyre që thotë dhe atyre që mendon. Atë që mendon e thotë në një mënyrë shumë të respektueshme për nga forca dhe mënyra sesi e gdhend fjalën shqipe. Pa llogaritur faktin se përveçse një kontributor i shqipes si lëvrues, sqimatar i saj, është dhe një nga mbajtësit në këmbë dhe mbështetësit me gjithë zemër të gjuhës që kemi, gjuhë e cila kërcënohet sot nga gjysmë injorantë dhe gjysmë të ditur që nuk arrijnë dot të gjejnë paqe me gjysmën e tyre dhe kërkojnë të përgjysmojnë përsëri gjuhën tonë, që është një bashkim dygjysmash të pandashme dhe që parathotë atë që për Rexhep Qosjen ka qenë gjithmonë një opsesion, bashkimin kombëtar.