Nga Dritan Hila

Edhe nëse i marrim për të vërteta listat dhe të saktë numërimin e Jemin Gjanës, Basha ka marrë vetëm 42% të votave të anëtarësisë së Partisë Demokratike. Domethënë vetëm 2 ndër 5 anëtarë e besojnë.

E megjithatë as kundërshtarët e tij nuk kanë pse gëzohen. Të gjithë bashkë ia kanë dalë të nxjerrin në votime vetëm gjysmën e anëtarëve të PD-së. Pra as Agron Shehaj, Edith Harxhi apo Fatbardh Kadilli nuk ia kanë dalë të frymëzojnë. Asnjeri prej tyre nuk ia ka dalë të ngacmojë nervin e demokratëve. Gjysma tjetër e forcës së dytë politike në vend ndjehet shpresëhumbur dhe të pamotivuar që të dalin në votime.

Ndërkohë Berisha premton rikthimin. A e ka bërë këtë për t’u treguar ndërkombëtarëve se ende është faktor që mund të destabilizojë vendin apo demokratëve se gjithmonë është aty si gur rezervë, kjo vështirë që të kuptohet nga mëndja e plakut. Vetëm se është e sigurt që prezenca e tij do të demotivonte shumë demokratë të tjerë, për mos thënë që në terma elektoralë do të ishte një shok për partinë e demokratëve. Mesa duket Berisha ende nuk e kupton që i ka ikur koha. E sigurt është që ardhja e tij në krye të PD-së jo vetëm do ta shndërronte këtë forcë politike në delen e zezë të ndërkombëtarëve, por në planin e brendshëm do të ishte një çetë nostalgjikësh, fanatikësh dhe hajdutësh të kohës kur mbretëroi, që nuk do të kalonte 10%.

Shifra e fitores së Bashës, ngado që ta shohësh është vajtuese. Përballë tij është një parti në pushtet që i bindet liderit të saj i cili në vetvete nuk ka ndërmend të bëjë asnjë lëshim. Gjithë sa thotë për bashkëpunim janë vetëm narkozë që demokratët të mësohen me dhimbjen e humbjes. Nuk ka asnjë arsye që t’i falë pushtet një partie që e dërmoi në zgjedhjet e fundit dhe e cila po përjeton një krizë të thellë lidershipi dhe idesh sesi fitohet.

Ndërkohë krahu tjetër duhet të mësohet me idenë se humbi. Profkat për masakrën zgjedhore, një alibi e hamendësimit të tyre se i do populli që nuk e lënka Rama ta shfaqë, duhet të marrë fund. Kanë humbur pastër. Tani duhet të ndajnë mendjen sesi mund të bëhen rishtas faktor. Dhe për këtë ka dy mënyra.

E para do të ishte që Basha të ishte një udhëheqës i përkohshëm, një tip regjenti që do të identifikonte një talent i cili do të ishte në gjendje që të fitonte pas katër vjetësh. Por këtë nuk e bën dot.

E dyta do të ishte një hapje e partisë ndaj prurjeve të reja. Ku me të reja nuk nënkupton partiçkat e dala nga PD-ja, por mbi të gjitha të individëve që janë në gjendje t’i sjellin vlera PD-së. Dhe kjo arrihet duke afruar vlera reale dhe jo tipa që i bën të famshëm partia. E gjitha kjo për të sfumuar figurën e tij e cila tashmë është ajo e një humbësi. A do ia dalë? Kjo është një rrugë e vështirë ku së pari do t’i duhet të triumfojë mbi veten.

Ah dhe e fundit, por edhe më e rëndësishmja: Duhet t’i thotë Berishës “Ik mbushu se mjaft i kam tre humbje për shkakun tënd”. Po nuk e bëri këtë, kot që vazhdon. E në vazhdoftë, atëherë kemi të bëjmë me biznes në formë partie dhe jo me parti ideologjike që mund të trembë Edi Ramën./dritare.net