Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila aktualisht ndodhet në një vizitë pune në New York, mori pjesë në takimin online të Ministrave të Jashtëm të rajonit të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të procesit të Berlinit.
Ministrja theksoi se Shqipëria është plotësisht e angazhuar në arritjen e qëllimeve të agjendës së përbashkët të tregut rajonal dhe në zbatimin e Planit relativ të veprimit.
Sipas saj, është jetike që reformat e ndërmarra nga vendet e Ballkanit Perëndimor të mbështeten nga një perspektivë e besueshme e integrimit në Bashkimin Europian të rajonit.
“Procesi i Berlinit ka qenë gjithnjë një instrument në shërbim të një vizioni dhe ambicieje madhështore: integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në BE. Mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut brenda Presidencës Portugeze të BE është kaq e rëndësishme për ruajtjen e besueshmërisë së procesit jo vetëm për dy vendet tona, por për të gjithë rajonin”, u shpreh ministrja Xhaçka gjatë fjalës së saj.