Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas lajmit se një autobus me targa kosovare është aksidentuar në Kroaci e për pasojë 10 njerëz pasagjerë kanë ndërruar jetën. Përmes një njoftimi në ‘Facebook’, Kurti shkruan se akoma nuk kanë marrë një njoftim zyrtar, por ministri i Punëve të Brendshme është nisur drejt Kroacisë, ndërsa edhe ambasadori në Zagreb është drejtuar drejt vendit të ngjarjes. Ndër të tjera Kurti shkruan se me ankth e shpresë janë me familjarët në këto momente të vështira.
“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për aksidentin tragjik në Kroaci, të një autobusi me targa të Kosovës. Ndonëse ende nuk kemi konfirmime zyrtare për detajet, lutemi të ketë sa më pak të vdekur e sa më shpejt të shërohen të lënduarit. Ministri ynë i Punëve të Brendshme po niset për Kroaci, ndërkaq drejt vendit të aksidentit te autostrada e Sllavonski Brodit tashmë është nisur ambasadori ynë në Zagreb. Me ankth e shpresë jemi pranë qytetarëve tanë dhe familjeve të tyre në këto çaste të rënda”, shkruan Kurti.