Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është mes politikanëve të shumtë që kanë reaguar për aksidentin tragjik të ndodhur në Kroaci, ku një autobus me pasagjerë që udhëtonin nga Frankfurti drejt Kosovës ka dalë nga rruga duke shkaktuar 10 viktima dhe dhjetëra të lënduar.
Përmes një postimi në llogarinë e tij të ‘Facebook’, Haradinaj u ka shprehur ngushëllimet familjarëve të personave që kanë humbur jetën si edhe lutet për shërimin sa më të shpejtë të të lënduarve të tjerë.
Haradinaj ka edhe një falenderim për organet e shtetit kroat për kujdesin dhe interesin e treguar mbi ngjarjen tragjike.
Postimi i plotë: I tronditur nga ngjarja e sotme tragjike në Kroaci, pas aksidentit që pësoi autobusi që po vinte nga Gjermania në Kosovë. Bashkëndjej me familjarët e dhjetë udhëtarëve që humbën jetën dhe lutemi për shërimin e shpejtë të të lënduarve. Falënderoj organet e shtetit kroat, e në veçanti kryeministrin z. Andrej Plenkovic për interesimin dhe kujdesin e tij. (Lexo.al)